Të mërkurën në orën 20:45 Barcelona do të presë në ‘Cam Nou’ Romën për të diskutuar ndeshjen e parë çerekfinale të “Champions League”. Në intervistën para mediave, trajneri spanjoll i katalanasve, Ernesto Valverde, e ka vlerësuar shumë Romën, duke habitur jo pak me fjalët e zgjedhura.

“Roma nuk është surprizë, pasi e kemi parë në fazën e grupeve dhe në kampionatin italian që është ekip i mirë. Luan shumë mirë në sulm, mbron me të gjithë dhe është vështirë që ta thyesh. Do e kemi shumë të vështirë kalimin në gjysmëfinale”, deklaroi Valverde.

Trajneri spanjoll nuk mendon se ndikon për keq fakti që ndeshja e dytë do të luhet në Itali: “Çerekfinalet nuk zgjidhen me një ndeshje. Nuk duhet të pësojmë gol në fushën tonë. E dimë mirë që duhet të zhvillojmë dy ndeshje fantastike për të vazhduar më tej”.

Kur u pyet se si ndihet që Barcelona është super favorite në këtë duel, Valverde deklaroi se favoritët janë vetëm për bastet.

“Janë gjëra pa vlerë për ne, koeficientët u duhen vetëm basteve. Kur nis ndeshja, favorit mund të jetë kushdo”, theksoi Valverde.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb