TIRANË- Ministri i Mirëqenies Socialie dhe Rinisë, Erion Veliaj ka shpërndarë sot këstin e 4-t të dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politikë. Janë 1200 persona ata që përfitojnë nga ky këst, ndërsa ministri premtoi se brenda muajit Prill do të shpërndahet edhe kësti i pestë. 65 prej këtyre ish-të përndjekurish përfituan nga 10 milionë lekë.

“Pas 1 viti e gjysmë punë mund të bëjmë një këst për 1200 vetë, përfitues,me një fond prej 5.780 mld lekësh. Do doja ta vazhdonim këtë traditë. Kjo kategori nuk e hallin tek intriga me videokaseta e telenovela, por tek jeta e tyre si ta përmirësojnë atë. Ju falënderoj për durimin prej 24 vitesh. Sot ju shoh në sy dhe ju them që kemi bërë më të mirën për këtë komunitet. Më vjen mirë t’ju them që këstin e 5-të do ta shpërndajmë në Prill”.

Më tej, Veliaj tha se për ish-të përndjekurit nuk ka rëndësi vetëm pjesa financiare, por edhe ajo morale. Prandaj Veliaj tha se do të hapen dosjet, që këta persona por edhe e gjithë shoqëria të zbulojnë të vërtetën.

“Besoj se nuk është në nderin e Shqipërisë që vetëm Shqipëria dhe Rusia nuk kanë hapur dosjet. Është në nderin tonë si shqiptarë që më mirë vonë se sa kurrë ta bëjmë këtë. Ka disa njerëz që me padije thonë se të përndjekurit do shkojnë të vrasin agjentët e sigurimit. Asnjë i përndjekur edhe pse e di historinë nuk ka ngritur dorë mbi dikë tjetër. Ata njerëz që nuk e duan përhapin këto legjenda urbane. Të përndjekurit duhet ta zbulojnë të vërtetën. Brezi i ri duhet ta dijë këtë. Dosjet janë aty, e vërteta është aty mbi 90 % e tyre janë aty”, shtoi ai.

Paralelisht me ceremoninë e zhvilluar në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, jashtë saj një grup ish-të burgosurish politikë protestuan për këstin e parë. Ish-të burgosurit, një pjesë e të cilëve pjesëmarrës të grevës së urisë të vitit 2012 deklaruan se nuk kanë marrë deri më sot asnjë këst dëmshpërblimi për vitet e burgut, pasi dosjet e tyre vijojnë të qëndrojnë të bllokuara në Ministrinë e Drejtësisë si të ashtuquajtura “dosje të vonuara”.

Ish-të burgosurit politikë paralajmëruan se do ndërmarrin një tjetër grevë urie si në 2012 gjatë së cilës dy persona u vetëdogjën me benzinë, akt ky që i mori jetën Lirak Bejkos.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: