NGA: Erjola Jata
Nuk është më surprizë që në Shqipëri shumë tenderë, që në nisje janë abuzivë, apo edhe kur janë shpallur fituesit për ndërtimin e rrugëve apo kryerjen e një shërbimi, këto zvarriten apo lihen përgjysmë pa arsye. Sot nuk mund të imagjinohet që një shtet demokratik të funksionojë pa përdorimin e prokurimit në shpenzimin e fondeve publike.

Fatkeqësisht, realiteti ynë është duke u përballur me një nivel të lartë të korrupsionit, veçanërisht në fushën e prokurimit publik. Fusha e prokurimit publik vazhdon të mbetet adresa më e përfolur për keqpërdorime të parasë publike në Shqipëri, për të cilën nevojitet urgjentisht një reformim ligjor sikundër është “VETINGU”.

Abuzimi me fondet e buxhetit të shtetit nëpërmjet procedurave tenderuese, nuk përbëjnë realisht të ardhura për ekonominë e vendit, nuk taksohen sipas ligjit dhe përbëjnë stanjacion të ekonomisë. Korrupsioni në fushën e prokurimit, përbën një kërcënim real, i cili po pengon rritjen ekonomike të vendit, sepse ndikon drejtpërdrejtë në uljen e eficencës në sektorin privat dhe në atë publik. Disa ditë me parë Kryeministri Rama paralajmëroi më shumë fonde me buxhetin e ri për ndërtimin e rrugëve, por edhe me projektin “1 miliard euro investime”.

Po t’i referohemi tabelave zyrtare që ofron buxheti parashikohet të mbyllen 10 rrugë, por shumica e tyre janë investime në rikonstruksion apo riveshje punimesh. Pjesën më të madhe të fondeve do ta ketë Unaza e madhe e Tiranës. Projektet e tjera do të jepen me koncesion. Buxheti do të shpenzojë para të tjera për koncesionet, ku në total ato do të zënë 9,4 miliardë lekë. Por a do të ketë transparencë në këto koncesione, a do të merret parasysh analiza e riskut sipas standardeve që kërkon FMN? Në këto kushte nevojitet reformim rrënjësor i sistemit të prokurimeve në mënyrë që të eliminohen edhe mundësitë e korrupsionit me tenderët publik.

Mënyra sesi zhvillohen sot tenderët dhe kriteret e përcaktuara në to shpallin fitues të njëjtat kompani çka lë të kuptohet për korrupsion ose lë të kuptohet për lënie ryshfetesh dhe një shfrytëzim jo eficent të fondeve publike.

Korrupsioni duhet të zbulohet dhe denoncohet, të sigurohemi se nuk ka vend ku të fshihet, për të penguar evazionin fiskal dhe për të vënë në dukje vjedhjen ose keqpërdorimin e taksave të taksapaguesve, por kjo kërkon një vendosmëri të lartë dhe një proces rrënjësor reformimi ligjor në fushën e prokurimeve. Kryeministri Rama me zë të lartë kërkoi që abuzuesit e fondeve publike të vihen para drejtësisë. Por a do të ndodhë kjo? Shumë raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ministrive denoncojnë raste abuzive me tenderët në rrugë, ku kompanitë kanë zvarritur projektet edhe pse lekët u janë disbursuar.

Kemi rastin e kompanisë italiane “Serenissima”, ku dy projektet më të rëndësishme të jugut bypaset Fier e Vlorë parashikoheshin të mbylleshin që në 2013, por kompania për shkak të borxheve, nuk paguante nënkontraktorët e vet. Punimet janë lënë përgjysmë. Në Vlorë janë kryer 45% e tyre dhe qeveria u detyrua të rihapë tenderin edhe një herë nga e para në muajin gusht. Ky fakt drejtpërdrejtë ndikon në performancën dhe shpërdorimin e buxhetit të shtetit pasi pasurojnë në mënyrë të paligjshme persona të caktuar, të cilët janë të lidhur qoftë në mënyrë direkte apo indirekte në proceset e prokurimit publik.

Por kjo nuk është sorollatja e vetme. Qeveria në 2017 ka dhënë me koncesion edhe shërbimin e ambienteve laboratorike për analizat ku fillimisht parashikoi që me buxhetin e vet t’i jepte kompanisë 13 milionë dollarë, por gjatë rrugës pagesa e dyfishuar arriti në 27 milionë dollarë. Bëhet fjalë për një shërbim që kryhet në ambientet spitalore të shtetit dhe ku privati investon vetëm në blerjen e kiteve që kryejnë analizat dhe ato minimumi kushtojnë 3 milionë euro. Në këto kushte situata kërkon patjetër ‘REVOLUCION’ në fushën e prokurimit, ku shteti të kujdeset nëpërmjet mekanizmave ligjor dhe të jetë garantues i konkurrencës së lirë dhe të ndershme mes operatorëve ekonomikë. Duhet të shpërblehet me kontratë vetëm ai operator, i cili plotëson kushtet, kriteret dhe rregullat konform ligjit në fuqi për prokurimet publike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb