TIRANE– Pas plotësimit të dosjeve me dokumentet që mungonin, ka nisur vlerësimi për 101 kandidatë aplikantë për komisionet e Vettingut. Avokati i Popullit, sqaron se ekspertët e institucionit nën monitorimin e ONM-së filluan vlerësimin e dokumentacionit të dorëzuar për plotësimin e kritereve ligjore nga 101 kandidatët aplikantë.

“Në bazë të Vendimit nr.18/2017 të Kuvendit të Shqipërisë, “Për kthimin e dosjeve të kandidatëve që kanë shprehur interesin për të kandiduar për institucionet e Rivlerësimit tek Avokati i Popullit për riplotësim të dokumentacionit”, si dhe në bazë të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”:
Pranë zyrës së Avokatit të Popullit, deri në orën 24:00 të datës 27 Mars 2017, kanë dorëzuar dokumentet që u mungonin në dosje 101 kandidatë aplikantë.

Dorëzimi i dokumentacionit u bë përmes: Paraqitjes së kandidatëve pranë institucionit të Avokatit të Popullit; Postës zyrtare; si dhe Postës elektronike”, thuhet në njoftimin e AP.

Ndërkohë, numrit 101 të kandidatëve aplikantë mund t’u shtohen edhe kandidatë të tjerë, të cilët i kanë dërguar dokumentet përmes postës zyrtare, brenda afatit të përcaktuar 27 Mars 2017.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, njofton se “në 28 mars ekspertët e institucionit nën monitorimin e ekspertëve të ONM-së kanë nisur punën për vlerësimin e dokumentacionit të dorëzuar për plotësimin e kritereve ligjore nga 101 kandidatët aplikantë për institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: