Lestër Siti, si rrallëherë gjatë këtij sezoni në Premier Ligë, tregoi në fushën e lojës se është kampioni në fuqi i kampionatit anglez. Të besuarit e Klaudio Ranierit triumfuan me rezultatin 4-1 ndaj Mançester Sitit të Pep Guardiolës në takimin e zhvilluar në stadiumin “King Pauër”, i vlefshëm për javën e 15.

Xhejmi Vardi dhe Andi King që në minutën e 3-të dhe të 5-të të ndeshjes realizuan 2 gola të cilët shokuan “qytetarët”. Në minutën e 20 ishte sërish Vardi i cili gjeti rrjetën për ta mbyllur pjesën e parë me shifrat 3-0. Në të dytën, Guardiola bëri disa ndryshime në përpjekje për të shpëtuar takimin, por ishte sërish Vardi në të 78-n që plotësoi “hat-trick”-un personal në këtë ndeshje dhe çoi shifrat në 4-0. Golat për Sitin u realizuan nga Kolarov dhe Nolito në minutat 82 dhe 90.

Pas këtij takimi, Lestëri ngjitet në kuotën e 16 pikëve, përkohësisht në vendin e 14 të renditjes, ndërsa Siti mbetet në kuotën e 30 pikëve, përkohësisht në vendin e 4-t. /panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: