TIRANE- Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës ka nisur vendosjen e sinjalistikës rrugore në çdo shkollë për automjetet që transportojnë nxënësit, si dhe vendosjen e vizave të bardhave.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, ishte sot e pranishme në shkollën “Vasil Shanto” nga ku njoftoi se në bazë të urdhrave të nxjerrë një ditë më parë nga kryebashkiaku Veliaj, janë marrë masat e para për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Ditën e hënë fillon viti i ri shkollor dhe bashkia e Tiranës është e angazhuar të siguroje ambientet ku lëvizin nxënësit e shkollave. Pranë shkollës ‘Vasil Shanto’ kemi vendosur tabelën për ndalimin e automjeteve që transportojnë nxënësit dhe njëkohësisht vijëzimin e rrugës së bardhë. Këto dy masa do të merren për të gjitha shkollat e Tiranës”, njoftoi Paskali.

Ajo theksoi se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur dje dy urdhra që do të sjellin kufizimin e lëvizjes së furgonëve që transportojne mallra për të lehtësuar trafikun ditor dhe njëkohësisht lejojne të merren masa për rritjen e sigurisë së transportit të fëmijëve në shkolla.

“Për ne, siguria e fëmijëve është shumë e rëndësishme, por njëkohësisht edhe mosvonesa e tyre në orët e mësimit është po aq e rëndësishme”, theksoi Paskali.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës tha se paralelisht me masat për sigurinë e fëmijëve në shkolla, ka nisur aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje përreth ambienteve të shkolla.

Bashkia e Tiranës, ndërkohë do të vazhdojë aksionin për lirimin e hapësirave rreth ambienteve shkollore. Ashtu siç kemi filluar në njësinë 5, do të vazhdojmë të marrim masa për të gjithë lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të padrejtë rreth ambienteve shkollore”, nënvizoi Paskali.

Paraditen e sotme, Inspektorati Urbanistik Vendor i bashkisë së Tiranës ka ndërhyrë në shkollën “Sabaudin Gabrani”, ku ka prishur ndërtimet pa leje rreth godinës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb