Vizita e shefit të diplomacisë shqiptare në Iran, Ditmir Bushati ka shkaktuar pakënaqësi në disa kancelari perëndimore. Një burim diplomatik pranë një prej ambasadave më të fuqishme në Tiranë pohoi për “BalkanWeb” se temat e dialogut të trajtuara gjatë vizitës së Bushatit në Teheran nuk janë konsultuar më parë me aleatët strategjikë të Shqipërisë në Perëndim. Për më tepër që vizita shikohet me dyshim për faktin që u realizua me nxitim para datës 20 Janar, kur në SHBA do të ndodhë zyrtarisht rokada e pushtetit nga Obama tek Donald Trump.
E kjo për shkak se sipas të njëjtave burime për “BalkanWeb” gjatë takimit të Bushatit me krerët e Republikës Islamike të Iranit është diskutuar në “fshehtësi” edhe çështja e muxhahedinëve, për të cilën administrata amerikane por edhe disa nga vendet kryesore të NATO-s dhe BE-së ka një sensibilitet të lartë.
Burime diplomatike pohojnë për “BalkanWeb” se gjatë takimeve me Presidentin Iranian, Hasan Ruhani dhe me homologun e tij, Muhamed Xhavad Zarif, shefi i diplomacisë shqiptare ka trajtuar çështjen e muxhahedinëve. “Kjo çështje është diskutuar në takimet zyrtare dhe është shtruar për zgjidhje nga Teherani në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, për të cilën zyrtarisht Tirana njoftoi se ishte edhe qëllimi i vizitës zyrtare në Iran. Këto çështje nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, sipas praktikave më të mira të bashkëpunimit me ambasadat e huaja në Tiranë, veçanërisht me përfaqësuesit e vendeve që konsiderohen si partnerë strategjikë të Shqipërisë, duhej të ishte konsultuar më parë”, – pohuan burimet diplomatike për “BalkanWeb”.
Pas vizitës zyrtare në Teheran, kjo është hera e parë që bëhet publik fakti që në Iran, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë të ketë trajtuar çështjen e muxhahedinëve e kjo për shkak se në njoftimin për shtyp të MPJ-së, ky fakt nuk është bërë publik. Të kontaktuar nga “BalkanWeb”, zyrtarët e MPJ-së nuk preferuan të komentojnë këto shqetësime.

4bmtb50680f1bblejj_800C450
Takimi i ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati me presidentin e Republikës Islamike të Iranit, Hasan Ruhani

MUXHAHEDINËT
Muxhahedinet iraniane, ose populli Muxhahedin i Iranit është nje lëvizje opozitare në mërgim, që synon rrëzimin e Republikës Islamike të Iranit. Lëvizja u themelua ne vitin 1965 nga një grup studentësh të majtë dhe u shndërrua në një organizatë nacionaliste e përkushtuar për të rrëzuar Shahun e Iranit dhe mbështetësit e tij. Ajo luajti rol aktiv ne protestat brenda vendit, shumë pjesëtarë të saj u ekzekutuan e burgosën, por rezistenca e tyre çoi në rrëzimin e mbretit në vitin 1979. Pas revolucionit islamik, lëvizja hyri në konflikt me regjimin pasues fondamentalist të Ajatollahut Khomeini dhe u vu në shënjestër të sulmeve të Hezbollaheve. Në fund të vitit 1981 shumë anëtare dhe mbështetës të saj u larguan jashtë vendit dhe qendra e tyre kryesore e strehimit u bë Franca. Për shkak të pasigurisë për jetën lindi edhe nevoja e zhvendosjes së tyre nga Iraku drejt vendeve të tjera, mes të cilave ishte edhe Shqipëria. Në vitin 2013 në vendin tonë u strehua grupi i parë i 210 muxhahedinëve, ndërsa pritet edhe mbërritja e grupeve te tjera.
STREHIMI NË SHQIPËRI
Vendosja e tyre në Shqipëri filloi në mars të vitit 2013, qeveria Berisha pranoi të strehonte 210 muxhahedinë, 30 të parët prej të cilëve mbërritën në Tiranë në maj 2013.
Në shtator të vitit 2014, Kryeministri Rama u takua me Sekretarin e Shtetit John Kerry, në samitin e Uellsit të NATO-s, dhe diskutuan për strehimin e muxhahedinëve të tjerë. Në prill të vitit 2015, kjo çështje u ridiskutua përsëri në Ëashington mes Ministrit Bushati dhe Sekretarit Kerry.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Shqipëria vazhdoi të strehonte muxhahedinë përtej 210 muxhahedinëve të pranuar nga ish-Kryeminsitri Berisha. Sipas “Ëashington Post”, deri në shkurt të 2016 në Shqiperi kishin mbërritur 700 muxhahedinë.
Në fillim të vitit 2016, Kryeministri Rama pranoi të strehojë të gjithë 1970 muxhahedinët e mbetur ende në Bagdad. Kjo marrëveshje u u përfundua gjatë vizitës së Sekretari të Shtetit John Kerry në Shqipëri në shkurt 2016.
Nisur nga burimet e qeverisë amerikane dhe mediave amerikane, në total, në Shqipëri do të strehohen rreth 2 600 muxhahedinë.
Qeveria shqiptare nuk ka bërë publike jo vetëm numrin e saktë të muxhahedinëve që do të strehoen në vend, por nuk ka pranaur apo folur asnjëherë për ketë çështje.
Muxhahedinët iranianë do të strehohen kryesisht në një kamp të posaçëm që është ndërtuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Agjensinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).
SHBA-të i kanë dhënë UNHCR-së rreth 20 milionë dollarë për të përballuar koston e rivendosjes së tyre në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb