TIRANE- Avokati Spartak Ngjela ka komentuar sot vizitën e zëvendës ndihmës sekretarit të shtetit amerikan, Hoyt Brian Yee të hënën në Tiranë, ku në fokus është zgjidhja e krizës politike.

Me anë të një statusi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut, Ngjela ka vijuar me sulmin e tij ndaj opozitës dhe qëndrimin e kësaj të fundit, duke nisur që nga protesta e deri tek bojkoti i zgjedhjeve të 18 qershorit.

Nga ana tjetër aleati i kryeministrit Edi Rama nuk i ka kursyer ironitë në drejtim të Berishës dhe Bashës, duke shtuar se ata nuk kanë fare peshë në llogarinë e politikës amerikane.

MESAZHI I NGJELËS
Hoyt Brian Yee, zëvendës ndihmës sekretar i shtetit amerikan vjen këtë të hënë në Tiranë.
Ambasadori amerikan e takoi shkurt, dhe ia bëri dje të qartë Lulzimit: “stop, i tha, deri këtu!”
E patë që nuk thanë asgjë për takimin: gjuha politike e forcës nuk transmetohet në publik.
l.
E kuptoni ju që një Sali dhe një Lulzim nuk kanë fare peshë në llogarinë e politikës amerikane!
Hoyt Brian Lee ishte ai që shkatërroi barbarinë e presidentit Ivanov në Shkup, dhe tani pas takimit, në Maqedoni, po shkon gjithçka drejt për shqiptarët. Amerikanët nuk bisedojnë me barbarët e çadrave: kanë vetëm gjuhën e forcës ndaj tyre. Dhe kështu do të ndodhë edhe të hënën në Tiranë: gjithçka do të shkojë drejt për shqiptarët edhe në Tiranë: njëlloj si në Shkup.
ll.
Të korruptuarit e shtetit shqiptar janë të trembur dhe të bashkuar. Por, si rregull, frika ndaj drejtesisë dhe ndëshkimit të çon në krim – kushtu na ka thënë Volteri
Të gjithë ata që zhurmojnë me fjalime të një gjuhe të paformuar si mendim, në Çadrën Sali, janë ata që kanë drejtuar dikur shtetin dhe tani janë të kapur dhe pritet të ndëshkohen nga Reforma; por janë të trembur. A do të shkojnë në krim? E kanë të pamundur – janë përballë politikës aktive amerikane.
Këta abuzues menduan se mund të sundonin me lojë gënjeshtrash, dhe vjedhjeje përgjithmonë në një vend të shpërfillur nga morali qytetar perëndimor në shekuj. Kanë njëzet vjet që gënjejnë mbi vuajtjen dhe çoroditjen e shqiptarëve, këta të kapur që s’heqin dorë nga krimi. Por tani janë në hall. Dhe e kanë të pamundur të shpëtojnë. Fatkeqësia e shqiptarëve ka qënë largimi nga mendimi racional i virtytit dhe moralitetit të shtetit perëndimor. Në Shqipëri, në një shekull kanë drejtuar keqbërësit barbarë.
Koha ndryshoi befas: ne, të mbetur vetëm në historinë tonë të trishtë, nuk shkuam dot në Perëndim, por koha e solli që ne vetë të jemi bërë interesi perëndimor i kohës sonë. Moraliteti dhe shteti i drejtë shqiptar sot janë interesi i Amerikës dhe perëndimit në përgjithësi. Gjithçka tjetër që lidhet ne krimin shtetëror në Shqipëri është e pashpresë.
Të korruptuarit janë naivë: Shqipëria është në NATO dhe ata janë me shenjën e vjedhësit. Me anë të kësaj kuptohet se Gjithçka është mbyllur. Surrender!
Duhet të dorëzohen.

lll.
Të korruptuarit e Tiranës janë në shok mendor: nuk shpëtojnë dot, as me bojkot dhe as me protestë: janë të papranueshëm nga politika e lartë perëndimore, se janë të korruptuar dhe me psikologji barbare kundrejt popullit të vet.
Janë të eliminuar. Koha nuk i pranon më, dhe do të shpronësohen që të gjithë; dhe me të drejtë.
Ka gjithmonë një rregull strikt në historinë e shtetit modern: po nuk u ndëshkuan të korruptuarit, kurrë nuk vendoset moraliteti.
A nuk e patë këtë me krimet e komunizmit? Mosndëshkimi i sekretarëve politikë të komunizmit, solli korrupsionin dhe abuzimin e ri shtetëror në Shqipëri.

lV.
Lufta kundër krimit shtetëror në një shtet joinstitucional si ky yni, është shumë e vështirë.
Ne shqiptarët e kishim dhe e kemi shumë të vështirë ta kryenim vetë këtë, sepse drejtimi i gjatë i padrejtë dhe i pamoralshëm i shtetit, e sjell domosdoshmërisht këtë gjendje shoqërore.
Një shoqëri që nuk e ka njohur virtytin në drejtimin e shtetit, shpërbëhet edhe vetë, sepse bie në amoralitet.
Ja, kjo është gjendja jonë tani.
Paaftësia e shqiptarëve për ta luftuar krimin shtetëror ka arsyen e vet historike, por reforma amerikane në risistemimin demokratik të shoqërisë, ka qenë ajo që ka shpëtuar edhe gjermanët edhe japonezët: ja, njëlloj si edhe ne shqiptarët që po na shpëton në këtë shekull të ri.
Dhe kjo do të kryhet.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb