TIRANË- Rreth orës 13:00, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbërriti në aeroportin e Rinasit, ndërsa simpatizantë të shumtë kanë shkuar ta presin pas vizitës së tij në SHBA, ku ka takuar edhe Presidentin, Donald Trump.

Ai tha se ka marrë mbështetjen e Presidentit të 45-të të aleatit tonë strategjik dhe shprehu bindjen për një fitore në zgjedhjet e 25 Qershorit.

“Jeni nga Tirana, Fushe Kruja, nga zona përreth mesa po shoh. Ju falenderoj për këtë pritje të jashtëzakonshme, për këta flamuj që valëviten krahë për krahë me aleatin tonë SHBA, nga e cila po kthehem nga një takim i jashtëzakonshëm me presidentin Donald Trump. Në një vizitë të shkurtër gjatë një jave domethënëse, javës së Shtëpisë së Bardhë për punësimin, dhe prioritetit numër një për ne, punësimit, stazheve, financimit të studentëve për krijimin e vendeve të punës. I jashtëzakonshëm takimi me përshtypjet më të paharrueshme, e jashtëzakonshme mbështetja e Trump për Shqipërinë dhe shqiptarët”,- tha ai.

Duke u ndalur tek objektivi i radhës, Basha tha se vetëm 10 ditë i ndajnë shqiptarët nga Republika e Re.

“Edhe 10 ditë na ndajnë për t’u ndarë njëherë e mirë me republikën e mashtrimeve, drogës, kriminelëve dhe për t’i hapur derën Republikës së qytetarëve, ekonomisë së fortë dhe të nesermes së sigurt. Kjo është ajo që presim të gjithë, kjo është ajo për të cilën po luftojmë ditë e natë, apo jo, kjo është ajo që pret bota nga ne, aleatët nga ne, ndaj mos të harxhojmë asnjë minutë, le të marshojmë cdo ditë drejt republikës së qytetarëve. Le të marshojmë këto 10 ditë drejt republikës së re, drejt një të ardhme më të sigurt për shqiptarët. Le të vazhdojmë punën natë e ditë, fitorja e madhe e qytetarëve po na pret më 25 qershor. Zoti e bekoftë Shqipërinë, dhe miqësinë shqiptaro-amerikane. Fitore”,- u shpreh Basha.
(m.a/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb