TIRANE – Katër ditë pas ngjarjes në një restorant në Linzë, ku humbi jetën 30-vjeçari Enton Nikaj dhe u plagos Ismet Gaxheri, është vënë në prangat e policisë edhe një tjetër bashkëpunëtor. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se paraditen e sotme është arrestuar 31-vjeçari Erjon Biraçi, i cili strehoi në banesën e tij shtetasin Emiljano Tasho, i arrestuar një ditë më parë, pasi akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Nikajt.

ARRESTIMI I EMILJANO TASHOSemiljano tasho
Një ditë më parë, rreth orës 14:30, në zonën afër urës së Shkozës u vu në pranga Emiljano Tasho, i dyshuar për vrasjen e 30-vjeçarit Enton Nikaj. Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Forcat RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, me ndihmën e informacioneve të marra në rrugë operative mundën të lokalizojnë të dyshuarin dhe më pas ta vendosin në pranga.

Burime pranë Policisë Tiranë pohojnë, se përveç dyshimeve për vrasjen në Linzë, mbi të dyshuarin Tasho rëndojnë edhe vepra të tjera penale. Nga informacionet e para mësohet, se i dyshuari nuk ka pranuar të bashkëpunojë me autoritetet për zbardhjen e ngjarjes së 11 nëntorit, ku mbeti i vrarë Enton Nikaj dhe u plagos Ismet Gaxheri. Megjithatë, policia po punon me intensitet dhe, sipas burimeve nga ky institucion, ngjarja do të zbardhet shumë shpejt.

ARRESTIMI I ISH-EFEKTIVIT TË POLICISË
Më 13 nëntor u arrestua Mirsad Kuçanaj, ish-efektiv i policisë. 28-vjeçari u arrestua në banesën e një të afërmi të tij në rrugën “Ibrahim Rugova”. I arrestuari Mirsad Kuçanaj është një ish-efektiv policie, i cili prej vitit 2009 ka mbajtur pozicionin e policit të patrullës së përgjithshme në Komisariatin nr. 2 në kryeqytet, më pas është transferuar në Policinë e Durrësit. Prej tri vitesh ai kishte dhënë dorëheqjen nga policia dhe punonte si badigard. Pas rënies në prangat e policisë, Mirsad Kuçanaj nuk pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke refuzuar kërkesën e prokurorisë dhe policisë për marrjen e statusit të bashkëpunëtorit.

Burime pranë kësaj policie tregojnë, se Kuçanaj, gjatë seancës së marrjes në pyetje, nuk ka pranuar të japë shpjegime në lidhje me njohjet me personat e tjerë të shpallur në kërkim, si edhe për konfliktin që ata kanë pasur me viktimën Enton Nikaj dhe të plagosurin Ismet Gaxheri. Mësohet se ish-efektivi i policisë Kuçanaj, nuk ka pranuar të flasë edhe për ngjarjen në Linzë dhe për arsyen pse ndodhej aty. Policia bën të ditur, se operacioni për kapjen e autorëve të tjerë të dyshuar ende në kërkim do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Sipas sistemit TIMS, rezulton se ata nuk janë larguar ligjërisht nga Shqipëria. Kontrollet do të shtrihen në disa qytete, si Tirana, Durrësi dhe Laçi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb