TIRANE – Gjykata ka ndryshuar masën për dy prej autorëve të vrasjes së 17-vjeçarit Marvi Mihali rreth një vit më parë për një karikues telefoni.

Për Marsel dhe Kridens Allën me kërkesë të Prokurorisë nga masa “detyrim paraqitje” u vendos masa “arrest me burg”.

Në qeli aktualisht ndodhet vetëm Devi Bitraj i akuzuar si autori kryesor i vrasjes. Eugen Bitraj, Marsel dhe Kridens Alla u liruan në fillim të majit nga Gjykata e Tiranës konkretisht gjykatësit Sokol Pasho dhe Bedri Qorri për shkak se kishin mbaruar afatet e paraburgimit.

Kjo gjë solli irritimin e prindërve të viktimës. Pavllo dhe Mira Mihali kanë kallëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, prokurorin Artan Lulaj, të cilin e akuzojnë se ka amnistuar autorët e krimit dhe dy gjykatësit Sokol Pasho e Bedri Qorri.

Pas padisë së prindërve, Prokuroria kërkoi ndryshimin e akuzës për tre të rinjtë e liruar nga “moskallëzim krimi” në “vrasje në bashkëpunim”. Po kështu edhe prokurori i çështjes u ndryshua pas ndërhyrjes së Kryeprokurores Arta Marku.

Ngjarja 

Marvi Mihali u vra më 31 korrik të vitit 2017 në zonën e stadiumit “Dinamo”. Miku i tij Armend Haxhiu i kishte shitur një telefon Devi Bitrajt por nuk i kishte dhënë karikuesin. Pas debateve mes Haxhiut dhe Bitrajve është vendosur që të takohen për t’u sqaruar tek Dinamo. Haxhiu ka kërkuar që aty të shkonte edhe miku i tij Marvi Mihali dhe pas shumë telefonatash ka arritur ta bindë Marvin.

Sapo ka mbërritur Mihali, Haxhiu ka goditur me grusht një prej të dyshuarve. Marvi ka ndërhyrë për t’i ndarë dhe aty është goditur me thikë nga Devi Bitraj. Familjarët kërkuan që të katër të rinjtë të përgjigjen për akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim sepse sipas tyre i kanë ngritur kurth Marvit.

BalkanWeb

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: