Ministria e Jashtme greke ka publikuar në faqen zyrtare të saj axhendën e vizitës së ministrit grek Nikos Kotzias në datat 6-7 qershor në Tiranë. Sipas saj bëhet e ditur se në ditën e parë të vizitës, Kotzias do takojë në Tiranë ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, pas së cilës të dy ministrat do të bëjnë deklarata të përbashkëta për shtyp.

Më pas zyrtari i lartë grek do pritet nga Presidenti i vendit Bujar Nishani, si dhe do të takohet më pas me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Të martën, më 7 qershor, Kotzias do të jetë folësi kryesor në një eveniment të organizuar nga Universiteti i Tiranës për rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke për të ardhmen evropiane të rajonit.

Ministri i Jashtëm do të takohet këtë ditë edhe me liderin e opozitës, Lulzim Basha, si dhe do takohet dhe me përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri. Ditë më parë mediat paralajmëruan se çështje të nxehta si marrëveshja për detin, ligji i luftës, apo çështja e pazgjedhur e pronave do të jenë në fokusin e kësaj vizite.

“Kathimerini” shkroi se Kotzias do të mbërrijë në Tiranë me një paketë propozimesh për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull mes dy vendeve si ndarja e Zonës Ekonomike Ekskluzive mes dy vendeve, problemet e pronësisë, si dhe nxjerrja e eshtrave të rreth 11.000 ushtarëve grekë të cilët u vranë gjatë luftës italo-greke në vitet 1940-1941 në territorin shqiptar. Sipas gazetës, pjesë e propozimeve do të jetë edhe kërkesa për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: