ELBASAN– Pas kallëzimit penal të bërë pak kohë më parë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, prokuroria e Elbasanit ka kërkuar arrestimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Dashamir Xhika, i cili vinte nga radhët e LSI.

Pas kësaj kërkesë, janë lëshuar 11 urdhër-arreste, ndërsa Gjykata e Elbasanit ka vendosu kontroll banese për Xhikën dhe 5 persona të tjerë, të cilët akuzohen për abuzim me detyrën, e konkretisht në ndërtimin e rrugës së Gjinarit. Procedurat për ndërtimin e kësaj rrugë kanë nisur që në vitin 2009.

“BalkanWeb” ka siguruar vendimin e Gjykatës, i cili mban datën 1 shkurt 2018, dhe përcakton kontroll të banesës për Xhikën dhe 5 personat e tjerë. Mbrëmjen e djeshme, policia e Elbasanit ekzekutoi vetëm njërin nga urdhër-arrestet, duke arrestuar Dashamir Xhikën.

“Dashamir Xhika, i cili ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të ARRSH-së në periudhën tetor 2013-shtator 2017, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”.

Ndërsa mëngjesin e sotëm u arrestuan edhe 5 personat e tjerë.
Prokuroria e Elbasanit kërkoi masës e sigurisë “arrest me burg” edhe për shtetasit Andi Toma (ish-drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve nga viti 2008-2013), Rexhep Tarba (mbikëqyrësi i punimeve në rrugën e Gjinarit), Agron Hysën, Kujtim Hysën, ndërsa Rezarta Bokçiu është me arrest shtëpie.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, sipas detyrave dhe funksioneve që kanë patur, kanë kryer veprime dhe mosveprimeve të kundërligjshme, që kanë sjellë si pasojë shpërdorimin e fondeve publike në shumën rreth 5 miliardë lekë të vjetra, të dhëna nga buxheti i shtetit për realizimin e objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, dhe objekti nuk është realizuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

(el.sp.BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb