SHKUP- Zgjedhjet e reja të parakohshme në Maqedoni do të zhvillohen në prill të 2016. Këtë e deklaroi eurokomisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn pas negociatave disaorëshe që u zhvilluan sot me liderët e katër partive politike.

Eurokomisioneri Hahn deklaroi se përfundimisht është arritur marrëveshje për organizimin e zgjedhjeve të reja. Sipas tij, detajet për atë se kush do të organizojë zgjedhjet dhe kush do të jetë në krye të Qeverisë do të diskutohen në një takim të radhës që do të zhvillohet në Bruksel gjatë javës së ardhshme.

Hahn deklaroi se takimi ka qenë konstruktiv dhe se sipas tij, deri në mbajtjen e zgjedhjeve do të pastrohet lista zgjedhore, dhe do të mundësohet një atmosferë për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Katër liderët e partive politike mbështetën deklaratën e eurokomisionerit Hahn. Nuk janë dhënë detaje tjera nga takimi që ka zgjatur rreth tetë orë. Pas deklaratës, Hahn ka lëshuar rezidencën e BE-së, ndërsa liderët e katër partive gjithashtu janë larguar duke mos dhënë detaje nga takimi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: