NGA ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANË- Miratohen standardet që duhet të plotësojnë tekstet shkollore. Nëpërmjet një urdhri të datës 2 shkurt 2015, MAS ka bërë të qarta se cilat janë standardet që duhet të plotësohen për hartimin e teksteve shkollore. Urdhri është hartuar në mbështetje të nenit 20 të ligjit për arsimin parauniversitar, i cili nuk ka lidhje me tekstet shkollore, por me shërbimin psiko-social në institucionet arsimore. Ky urdhër, veç kësaj paqartësie ka edhe probleme të tjera. Nëse do të shikojmë “Standardet e Teksteve”, të hartuar nga MAS, do vëmë re se ato janë kopjuar nga “Standardet e teksteve shkollore, Kosovë 2011”. Sipas ekspertëve, ngjashmëria e tyre mund të lidhet edhe me faktin që Shqipëria dhe Kosova po bashkëpunojmë për unifikimin e teksteve dhe të kurrikulave. Faktikisht, plagjiatura është një akt i dënueshëm edhe në legjislacionin shqiptar. Përmbajtja e tyre është identike, pasi nuk janë kursyer jo vetëm në thelbin që duhet të kenë, por edhe në renditjen e standardeve, duke mos iu ndryshuar as numrin rendor.
Urdhri & neni 20
Ministria e Arsimit, nëpërmjet një urdhri të datës 2.02.2015 ka miratuar standardet e teksteve shkollore. Urdhri i MAS është hartuar në mbështetje të nenit 20 të ligjit të nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar”. Por faktikisht, neni 20 i këtij ligji nuk ka lidhje me hartimin e teksteve, pasi në këtë nen flitet për shërbimin psiko-social në shkolla. Pika 1 e këtij neni përcakton se: “Njësitë arsimore vendore u sigurojnë shërbim psiko-social nxënësve dhe punonjësve të institucioneve arsimore.” Ndërsa pika 2 e nenit 20 të ligjit për arsimin parauniversitar përcakton se: “Shërbimi psiko-social ofron mbështetje nëpërmjet psikologëve ose punonjësve socialë për trajtimin e problematikave të rasteve të ndryshme, vlerësimin e rasteve të fëmijëve me nevoja të veçanta psiko-sociale, hartimin e programeve parandaluese, sipas nevojave të komunitetit shkollor.” Pra në këtë nen, në asnjë moment nuk flitet për tekstet shkollore dhe aq më pak për standardet e hartimit të këtyre teksteve.
Skualifikimi
MAS, në udhëzimin e sipërpërmendur ka përcaktuar pikat kryesore se ku duhet të përmbahen botuesit për hartimin e teksteve shkollore. Nëpërmjet standardeve të teksteve, veç përmbajtjes përcaktohet forma e shkronjës dhe madhësia, grafika, ndriçimi, largesa midis rreshtave etj. Pjesë e standardeve të miratuara nga MAS janë edhe 13 rastet kur një tekst nuk kualifikohet në konkurrim, midis të cilave përmendim: elementë të tekstit shkollor bien ndesh me kuadrin ligjor; nuk respekton përcaktime të paketës kurrikulare; konstatohen pohime që bien ndesh me kodin etik të shoqërisë; konstatohen para-gjykime sociale, etnike, racore, fetare moshore, gjinore, gjeografike, si dhe elementë të nxitjes së urrejtjes dhe të nxitjes së armiqësisë për popuj të tjerë; kur ka gabime shkencore dhe gjuhësore; kur ka mbingarkesë të tekstit në lidhje me moshën; kur në tekste ka harta të gabuara; kur konstatohen të dhëna të vjetruara që nuk kanë vlerë; si dhe kur përmbajnë reklama apo promocione të ndryshme. Këto masa janë marrë, pas gafave të shumta që janë bërë publike së fundmi në tekstet shkollore.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb