SHKUP- Sot shënohet një vjetori i incidentit të përgjakshëm në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Me rastin e përvjetorit të ngjarjes së Kumanovës dhe Ditës së Evropës, Këshilli Opozitar, organizim ky i shqiptarëve në Maqedoni, do të mbajë një marshim proteste në Shkup, i cili dnis rreth orës 17:30 në parkun e Çairit dhe do të vazhdojë deri te ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë.

Protesta e pagëzuar “Dita D”, apo me moton Drejtësi, Dinjitet dhe Demokraci, sipas organizatorëve, ka për qëllim të tregojë se, siç thonë, jo të gjithë shqiptarët janë të nënshtruar dhe të përulur para shefave të VMRO-DPMNE-së.

Këshilli Opozitar ka porositur se protesta e sotme do të jetë shqiptare, me flamur kombëtar dhe nuk do të bashkohet me protesta tjera në Shkup.

“Ndonëse disa dashakeqë duan që zëri shqiptar të mos jehojë suksesshëm më 9 Maj, sepse kjo ua prish allëshvereshet me partnerët e tyre maqedonas, ne edhe një herë përsërisim se protesta e 9 Majit për Drejtësi, Dinjitet dhe Demokraci do të jetë zëri më i fuqishëm shqiptar i dëgjuar ndonjëherë në Shkupin dardan dhe, përmes tij, do të përçohet mesazhi se shqiptarët janë me Evropën dhe, së dyti, do të shtrohet pyetja se kush ishin tradhtarët dhe skenaristët e ngjarjes së Kumanovës, duke kërkuar drejtësi dhe dinjitet për shqiptarët. Më 9 Maj protestohet vetëm shqip dhe vetëm me flamur shqiptar!” thuhet në kumtesën e Këshillit Opozitar.

Më 9 maj 2015 në Lagjen e Trimave nga një përleshje e armatosur humbën jetën tetë policë të njësiteve speciale dhe 10 ish komandantë të ish UÇK-së, por edhe pas një viti ende nuk dihet me saktësi se çfarë ka ndodhur atje.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: