Të paktën 10 persona u vranë në një operacion policor dhe ushtarak në burgun Tacumbu në kryeqytetin paraguaian të Asuncion, njoftoi Policia Kombëtare.

Sipas raportit paraprak, mbetën të vrarë nëntë të burgosur dhe një agjent i grupit taktik të policisë kombëtare, ndërsa u plagosën 20 të burgosur dhe 36 agjentë policorë e ushtarakë.

Operacioni u krye për të rimarrë kontrollin e burgut Tacumbu, i cili prej vitesh ishte në duart e grupit kriminal të njohur si Klani Rotela.

Në raportin e Policisë Kombëtare thuhej se pas një konfrontimi intensiv me të burgosurit, agjentë policorë dhe ushtarakë arritën në bllokun e qelisë së kreut të fraksionit kriminal Armando Javier Rotela, i cili më në fund u dorëzua dhe u transferua në burgun ushtarak Vinas Cue.

Rotela, themeluesi i klanit dhe i konsideruar si krimineli më i rrezikshëm paraguaian, kontrollonte burgun, nga i cili drejtonte trafikun e drogës dhe aktivitete të tjera kriminale të lidhura me to, si në vend ashtu edhe në rajon.

Gjatë operacionit u sekuestruan thika dhe armë zjarri të kalibrave të ndryshëm, municione luftarake, lëndë plasëse të bërë vetë, telefona celularë dhe lëndë narkotike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb