(Shkëputur nga libri im “Sallaku ose si
qeshnim nën diktaturë”)
Skënder Sallaku ka qënë dhe do të mbetet një artist fenomenal dhe një njeri me zemër të madhe.
Askush nuk do ta mbajë mend atë për një fjalim të zjarrtë në ndonjë kuvend, për shpalljen e ndonjë manifesti sipër një tribune, apo për ndonjë intervistë historike në radiot, që nga mijëra kilometra larg synonin përmbysjen e diktaturës në Shqipëri.
Rolin e tij në përpjekjet për dritë, mënçuri, liri e përparim ai e zgjodhi aty ku cilësitë e tij vetjake e ndihmonin të bënte sa më shumë për triumfin e tyre.
Serioziteti i tij për t’i mbajtur shqiptarët të qeshur është një shëmbull prekës dhe frymëzues.
“Ai ishte pasuria më e dashur e viteve të rinisë sonë’, pat thënë Artisti i Popullit Piro Mani. ‘….na u shfaq fare papritur si një yll plot dritë. …. Me gjithë morsën e komunizmit fanatik shqiptar, që sa vinte e më shumë na shtrëngonte, ne qeshnim ”.
Por Piroja e dinte dhe të gjithë ne e dijmë, se diktatura e kish vështirë të luftonte me këtë lloj insekti brrejtës.
Shumë nga këta tregime gjembaçë që kam vënë në libër e qarkullonin si të pëshpëritur prej tij, Sallaku mund të mos i ketë marrë nëpër gojë, bile mund të mos i ketë as dëgjuar. Nuk u habita pra, teksa një pjesë prej tyre, që kam shtuar e renditur në kapitullin më vete, ai gjallë dhe shëndet plotë, me buzë në gaz dhe me këtë librin tim në dorë, ma pranoi se po takohej për herë të parë.
Ai e dinte ngarkesën e kësaj kontrabande që qarkullonte si e dalë nga hambarët e tij, por Sallaku nuk bëri asnjëherë ndonjë deklaratë publike të llojit “ky mall nuk është i imi”. Ama të gjithë kishin bindje të patundur se në mos i kishte thënë të tëra ato anekdota, gjysmat po. Se ai qe nga ai fare soji që nuk rrinte dot pa i thënë. Se e kish natyrën dhe djallëzinë e fshehur edhe që t’i tregonte, edhe me mirënjohje të heshtur, t’i pranonte kur ia faturonin.
Ai nuk e pat të lehtë artin e humorit “që kafshonte”, nën frikën e ndëshkimit të tmerrshëm që vinte pas nga regjimi. Por e kish ku e ku më të lehtë, se ata burrat që merrnin penën të gjenin virtutet dhe të bukurat në atë shoqëri të shëmtuar të kohës diktatoriale. Për dy arsye shumë të rëndësishme: e para sepse të bukurat që kërkonin të tjerët, asokohe ishin tmerrësisht të rralla dhe e dyta, sepse ai rrinte prapa mburojës së “shakaxhiut dhe kllounit që zbavit” dhe nuk kishte as epizëm, as madhështi, në gishtin e tij të shtrembër kur akuzonte me gisht në gjyqin e historisë.
Librin e pata të vështirë sepse heroi që kisha sjellë në faqet e tij ishte ende mes nesh i gjallë, i shëndetshëm e i këndshëm si përherë. Janë më të kollajtë librat për njerëz të vdekur para njëmijë, apo pesëqind vjetësh, apo qoftë edhe ata që përcillen mbi një shtrat topi, si rasti i komikut të famshëm rus Nikulin.
Meqë ra fjala, Skënderit i shijoi mjaft krahasimi dhe përqasja me Jurij Nikulinin, të cilin me në krye Presidentin e Rusisë kokëzbuluarin Boris Jelcin në Sheshin e Kuq të Moskës një milion rusë të pikëlluar dhe solemnë, e ndiqnin pas shtratit të topit, që mbante me nderim komikun e vdekur. Komiku ynë i madh më pat sharë ndyrazi një ditë teksa ishin nisur tok me të shoqen, për një shëtitje nga liqeni i Tiranës.
“Aty matanë ca telave, që rrethonin oborrin e Gardës,” më tha Skënderi, “pamë nja katër ushtarë që po pastrojshin nji shtrat topi. I ndalëm hapat dhe u pamë symësy me Vitoren. Se të dyve na erdh’ në mend libri që sapo kishe botuar ti me ate të vdekurin mbi top. Aty ta futa të shamen! ‘Po ky intrigant i poshtër, i thashë Vitores, na e ndolli, apo ka marrë vesh noi gjo që s’e dijmë no?’”
Por nuk u panë topa, kur ky njeri i rrallë, që një vendit i vjen mbase njëherë në njëmijë vjet, ndërroi jetë më 11 shkurt 2014, si sot. Shqiptarët ishin larg shembullit të rusëve në Sheshin e Kuq! Edhe pse vlerat e kampionit tonë nuk ishin asfare më të pakta. Vetëm pas një përgjumje të gjatë, tetë vjet pas largimit nga jeta, Presidenti i vendit dekretoi për Skënder Sallakun titullin Nderi i Kombit.
Atje lart në Qiell, personazhi ynë do të ketë vënë buzën në gaz kur ndjeu se i erdhi radha.
Janë më të lehta flakërimat e penës për bëma e thënie, për të cilat nuk gjenden dëshmitarë që të t’i hedhin poshtë. Por njerëzit nuk i pranojnë lehtë vlerësimet monumentale për një njeri, që pasi e lexojnë në një libër për të, e takojnë çdo ditë në rrugë, në plazh a restorant dhe e shohin tek del nga porta e një banje duke ulur sytë poshtë në pantallona, që të sigurohet se nuk i ka harruar zbërthyer. Ne na patën mësuar se të lavdishëm dhe heronj janë vetëm të vdekurit.
Por njerëzit që e njohën nga afër Sallakun, miqtë e tij të ngushtë dhe kolegët, ashtu si pata shpresë, ranë dakord, se unë nuk kam tepëruar asgjë. Provimi para tyre ishte më i vështiri që kishte përpara vetes ky libër dhe autori i tij. Kurse të tjerët, ata që Sallakun nuk e njohën, le ta shijojnë si një hero që ka jetuar para dyqind vjetësh.
E vërteta është se libri synon të jetë edhe një homazh më i përgjithshëm, përatë gjeni të krijuesve anonimë, por mjeshtër të humorit, që nga shtypja dhe varfëria nxorrën tërë atë lëndë gazmore “me spec” që mbajti ngrohtë miljona njerëz teksa rrinin në pritje të shkrirjes së akujve.
Por mbi të gjitha është për gazsjellësin e mrekullueshëm të rrugës, të skenës dhe arenave, Skënder Sallakun…
I cili, Skënder Sallaku, nuk hoqi dorë së rëni telefonit tim amerikan orë dhe pa orë, hera-herës, edhe në mes të natës:
“Sa është ora atje, në Nju Jork, ke ju?”
“Akoma nuk e mësove?!”
“U plakshë, harroj shpejt! Mos pyet, por ndigjo, se nuk kam shumë kohë. Erdhi sot një djalosh dhe më tregoi nja dy të ngrohta. Ndigjoi!”
* * *
Dy gra, ngarkojnë rrjetat me ushqime të klasit të parë ke nji supermarket në Pazar të Ri. Ashtu të ngarkueme, dalin bashkë nga porta duke bisedu. Qahet ajo më e moshuara:
“ Qyqja si kena për të mujtë me i çu’, gjithë këto ushqime deri në shtëpi. Ene zotninë tate, pri atyne që more, e kuptova, se me pare, nuk qeke keq!”
I a kthen tjetra: “Kam vajzën në Itali, u! Ka një punë le-e mo e nga më! I zoti i firmës ma ka vajzën me sy të mirë. E ka rregulluar si sekretaren e vet, aty në zyrë. Papo ngado që vete, e merr pas, nëpër tërë Evropën. Në hotelet më të mirë flënë… Po zotrote?”
Përgjigjet e moshuara: “Ene una, me paret e gocës që kom në Itali, i kom.”
“Ça punë të bën?” pyet kjo me gocë sekretare.
Tjetra ia kthe: “Nuk e kupto-e?! Kurvë mi pra, si goca e zotnisë tate!”
* * *
“Nigjo kët’ tjetrën!”
Një shqiptar në Gjermani, policët e emigracionit kanë vendosur ta kthejnë andej nga ka ardhur.
E kanë ulur në një vagon luksoz pranë dritares dhe vetë rrinë larg. E kontrollojnë sëlargu, sepse duan të japin përshtypjen se në vendin e tyre, njerëzit vijnë dhe ikin me vullnet të lirë.
Një turist i lumtëruar që po udhëton për në jugë, i ulet pranë shqiptarit. Turisti është llafazan.
“Më pëlqejnë shumë udhëtimet me tren,” po i thotë ai të ziut shqiptar. “Unë shkoj në Baden-Baden. Po ju?”
“Unë vete pak më larg,” ia kthen shqiptari, “në Baldushk-Baldushk!…”
* * *
“Nigjo të fundit!”
Sula mezi ka rregulluar vizat dhe kërkon të emigrojë në Perëndim, me gjithë grua e fëmijë.
Në aeroportine Rinasit, po presin të fillojë hyrja në avion. Befas altoparlanti njofton:
“Udhëtarët që janë për Vjenë, të hiqen mënjanë. Nisja e tyre shtyhet për shkak se tani po le Shqipërinë një delegacion i lartë qeveritar!”
Aty shfaqen tërë këta të mëdhenjtë, Nanoja vetë, e tërë qeveria, që rëndë rëndë, kalojnë në pistë dhe nisen në fluturim.
Sula me gruan dhe djalin i afrohen prapë derës. Prapë altoparlanti i urdhëron:
“ Udhëtarët për Vjenë të hiqen mënjanë dhe të lirojnë rrugën se një delegacion i Opozitës niset për një udhëtim të gjatë!”
Kalojnë para Sulës, gruas së tij dhe djalit, edhe tërë të mëdhenjtë e Opozitës, që ndjekin Sali Berishën.
Djali i vogël i shikon prindërit në sy:
“Po tani kot që të largohemi, o babi. Këta po ikin.”