Plot 101 deputetë nga legjislatura e kaluar do të jenë pjesë edhe e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës, sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Nga 120 ulëset e Kuvendit, vetëm 9 deputetë do të jenë për herë të parë pjesë e institucionit ligjvënës. Pesë prej tyre vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa katër nga Lista Serbe, shkruajnë mediat në Kosovë.

Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 mandate.

Nga deputetët e legjislaturës së kaluar, 48 nga Vetëvendosje kanë arritur të rizgjidhen, 19 nga PDK-ja, 15 nga LDK-ja dhe 6 nga Aleanca.

Për herë të parë në Kuvend nga radhët e Vetëvendosjes do të jenë Osman Musliu, Arton Konushevci, Armend Baloku, Krenare Çerkini dhe Valon Peci. Ndërkohë, Lista Serbe sjell katër emra të rinj në përfaqësimin parlamentar.

Në Kuvend rikthehen edhe disa figura të njohura politike që nuk ishin pjesë e legjislaturës së fundit. Nga PDK-ja mandat kanë fituar sërish Jakup Nura, Altin Krasniqi dhe Rrustem Mustafa. Nga LDK-ja rikthehen Vjosa Osmani-Sadriu, Arben Gashi dhe Paris Guri, ndërsa nga Aleanca Ardian Gjini dhe Teuta Haxhiu. Në mesin e përfaqësuesve të komuniteteve rikthehen gjithashtu Fikrim Damka dhe Albert Kinolli.

Nga ana tjetër, 31 deputetë të legjislaturës së kaluar që kandiduan në zgjedhjet e 7 qershorit nuk arritën të sigurojnë një mandat të ri. Vetëvendosje ka numrin më të madh të deputetëve që mbetën jashtë Kuvendit, megjithëse një pjesë e tyre mund të rikthehen në rast se deputetët e zgjedhur emërohen ministra në qeverinë e ardhshme.

Sa i përket votave individuale, Albin Kurti rezulton deputeti më i votuar në vend me mbi 324 mijë vota. Pas tij renditen Glauk Konjufca me mbi 264 mijë vota dhe Albulena Haxhiu me rreth 165 mijë vota.

Në PDK, më i votuari është Bedri Hamza me mbi 126 mijë vota, i ndjekur nga Përparim Gruda dhe Arian Tahiri. Në LDK, listën e kryeson Vjosa Osmani me mbi 92 mijë vota, pasuar nga Lumir Abdixhiku dhe Doarsa Kica-Xhelili. Ndërsa në Aleancë, më i votuari është Ardian Gjini, i ndjekur nga Ramush Haradinaj dhe Daut Haradinaj.

Përbërja e re e Kuvendit pritet të nisë procedurat për konstituimin e institucioneve dhe formimin e qeverisë së re në javët e ardhshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: