Besim Ndregjoni, kryetar i Unionit të të Burgosurve Politikë, ka komentuar protestën prej 125 ditësh kundër qeverisë, duke vlerësuar rolin e të rinjve që vijojnë të jenë pjesë e tubimeve.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” me Ola Brukon në News24, Ndregjoni e cilësoi situatën politike në vend si një “diktaturë” dhe foli për atë që e quajti “pluralizëm diktatorial” pas viteve ’90.

Sipas tij, forcat politike shqiptare pas rënies së komunizmit nuk kanë ndërtuar një vizion të mirëfilltë demokratik dhe nuk kanë garantuar zgjedhje të lira brenda partive.

“Jetojmë në një diktaturë, pluralizëm diktatorial pas shembjes së Murit të Berlinit. Forcat politike në Shqipëri pas viteve ’90 nuk kanë asnjë vizion demokratik dhe nuk lejojnë të bëhen zgjedhje të lira brenda partive. Janë sërish po ata politikanë që kanë qenë që në vitet 1990”, tha Ndregjoni.

Ai ngriti gjithashtu kritika për mënyrën se si është trajtuar trashëgimia e diktaturës komuniste në Shqipëri, duke deklaruar se vendi nuk ka ndërmarrë, sipas tij, hapa të mjaftueshëm për të dënuar të kaluarën komuniste dhe për kthimin e pronave te ish-pronarët.

Ndregjoni u ndal veçanërisht te të rinjtë që marrin pjesë në protestat e zhvilluara gjatë këtyre 125 ditëve. Ai i cilësoi ata si “heronj të lirisë së Shqipërisë” dhe tha se sakrifica e tyre duhet të vlerësohet.

“Sot rinia shqiptare, ajo rini që është në shesh dhe flet, janë heronjtë e lirisë së Shqipërisë, përballë një shoqërie të degraduar. Kjo rini meriton nderim për një sakrificë të madhe që po bën përballë klasës diktatoriale”, u shpreh ai.

Ndregjoni kritikoi edhe opozitën për qëndrimin e saj në Kuvend, duke thënë se ajo duhet të kishte ndërmarrë një aksion më të fortë parlamentar që në nisjen e protestave të “Revolucionit të Flamingove”.

“Si mund ta respektoj opozitën kur i nënshtrohet diktatit të shumicës së Ramës, në vend që të protestonte në Kuvend që në ditën e parë të Revolucionit të Flamingos? Nuk duhet të lejonin asnjë aktivitet të Kuvendit”, deklaroi Ndregjoni.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb