Besim Ndregjoni, i ftuar në News24, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për qëndrimin ndaj protestave që prej 137 ditësh zhvillohen në Shqipëri, duke e akuzuar se ka shpërfillur kërkesat e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve.
Gjatë intervistës, Ndregjoni kundërshtoi gjithashtu pretendimin se largimi i Ramës nga pushteti do të rrezikonte procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk është pronë e kryeministrit apo e Partisë Socialiste, ndërsa rruga drejt anëtarësimit kërkon reforma dhe institucione demokratike funksionale.
“137 ditë ke përçmuar dhe ke përbuzur protestën e qytetarëve shqiptarë, të rinj dhe të reja. 137 ditë i ke përçmuar dhe në ato 137 ditë ndodhi një incident”, u shpreh Ndregjoni.
Ai kritikoi deklaratat për vazhdimësinë e qeverisjes deri në vitin 2050 dhe e cilësoi të gabuar lidhjen e procesit të integrimit me qëndrimin e një kryeministri të caktuar në pushtet. Për të argumentuar qëndrimin e tij, Ndregjoni solli në vëmendje edhe periudhën e diktaturës, duke bërë një krahasim mes retorikës së Enver Hoxhës dhe asaj që, sipas tij, përdor sot Edi Rama.
“Bashkimi Evropian nuk është pronë e Edi Ramës, as pronë e Partisë Socialiste. Pronë e Edi Ramës dhe e Partisë Socialiste është të bënte reforma për t’u futur në Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.
Një pjesë të rëndësishme të reagimit të tij, Ndregjoni ia kushtoi përplasjes mes protestuesve dhe policisë, duke vënë përballë situatën e të rinjve të shoqëruar në komisariate me atë të zyrtarëve të qeverisë, ndaj të cilëve ai ngriti akuza për korrupsion.
“A ka turp më të madh për këtë qeveri dhe për këtë kryeministër kur, sipas tij, ‘hajdutët’ e qeverisë Rama, Belinda Balluku, Olta Ghaçka e lloj-lloj të tjerë, rrinë duke bërë palestër dhe studentët shqiptarë tërhiqen zvarrë, duke mbushur edhe zyrat e shtetit, se nuk ka vend në komisariate”, u shpreh Ndregjoni.
Ai akuzoi qeverinë se gjatë 14 viteve në pushtet nuk ka ndërmarrë, sipas tij, reformat e nevojshme për forcimin e demokracisë, por e ka përqendruar vëmendjen te pasurimi. Në përfundim, Ndregjoni theksoi se shqiptarët kërkojnë më shumë liri dhe demokraci, ndërsa integrimi evropian, sipas tij, nuk mund të përdoret si argument për të justifikuar qëndrimin e një force politike në pushtet.
