Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën për miratimin e reformës së re territoriale me forcën e kartonëve në Kuvend. Gjatë “Foltores së Ripërtëritjes” në Fier, Berisha e cilësoi vendimin si një “ekzekutim” ndaj 15 bashkive që preken nga riorganizimi territorial.
Kreu i PD-së pretendoi se opozita nuk po mbronte interesa partiake, por të drejtën e qytetarëve për vetëqeverisje në zonat dhe komunitetet ku jetojnë.
Berisha e cilësoi seancën parlamentare si një zhvillim të turpshëm dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij të angazhohen kundër asaj që e përshkroi si të keqen e madhe.
“15 bashki u ekzekutuan në sallën e parlamentit. Krim i shëmtuar. As deputeti i Divjakës nuk ishte aty, i nxori 1 muaj të protestonin qytetarët dhe dje nuk ishte aty. Skllevër të grabitjeve dhe pasurive të vëna. Shqiptarët përjetuan një thriller të turpshëm. Nuk po mbronim asgjë me baza partiake, po mbronim qytetarët, duhet të kenë vetëqeverisje në zonat dhe komunitetet. Mësimi është që duhet të angazhohemi ndaj të keqes së madhe. Ata që ndoqën mbrëmë seancën panë se sa kriminelë gjakftohtë ishin dje ata”, tha ai.
