Një kolonel holandez vritet ne Durrës më 1914. Për një kohë të gjatë, shqiptarët kërkuan falje, por çfarë ndodhi në të vërtetë? Një vepër letrare ngre pikëpyetje mbi ngjarjet historike, sepse për të vërtetën nuk është kurrë vonë
Një kolonel holandez vritet në qershorin e 1914-ës në Durrës. A vdiq për Shqipërinë apo vetëm në Shqipëri? Kujt i shërbeu dhe cilat qenë lojërat politike? Kush janë heronjtë e kush tradhtarët?
Cilat ishin agjendat dhe a dështoi projekti i Fuqive të Mëdha për mbretërinë shqiptare të princ Vidit ? kush e pengoi Shqipërinë evropiane të 1914-ës? Përmes një romani voluminoz, Flutura Açka, merr në shqyrtim ngjarjet e më shumë se një shekulli më parë. Hulumtimi i saj historik që mori formë letrare, nisi nga një fjali e lexuar te Edit Durham.

Në qendër të ngjarjeve të librit, qëndron personazhi i Kolonelit holandez Tomson, i cili humbi jetën në Shqipëri, ndërsa vepra shkon përtej mitit të tij të rremë sipas shkrimtares. Përmes rrëfimit artistik, Açka, gërmon në historinë e madhe e historitë e vogla e personale që ndryshuan fatet vetjake e fatet e një kombi.
