Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka zhvilluar sot takim me kryeministrin Albin Kurti në Gjermani, nga ku i ka kërkuar kreut të Qeverisë përparim urgjent për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në takimin, të cilin e ka quajtur produktiv, pjesëmarrës ka qenë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ambasadori Hovenier, duke theksuar se SHBA pret nga Kosova dhe Serbia t’i përmbushin obligimet në kuadër të Dialogut.
“Kënaqësi të bashkohem me Ndihmës Sekretarin O’Brien në takimin e tij produktiv me kryeministrin Kurti. Ne presim që Kosova dhe Serbia të përmbushin të gjitha obligimet e marra në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Hovenier, transmeton Gazeta Express.

O’Brien theksoi se SHBA e mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

“SHBA mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, nevojitet zbatimi i marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Sot kam diskutuar hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”, ka shkruar O’Brien.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb