Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimorë të masakrës në Krushë të Madhe në Rahovec 25 vjet më parë. Hovenier kujtoi se një ditë para se të ndodhte masakra që la rreth 250 viktima dhe rreth 60 të zhdukur që prej atëherë, NATO nisi fushatën bombarduese pikërisht për shkak të këtyre ngjarjeve.

“Vetëm një ditë pasi NATO-ja filloi fushatën e saj për t’i dhënë fund fushatës së tmerrshme të spastrimit etnik, forcat e Millosheviqit hynë në këtë fshat dhe vranë mbi 250 civilë të pafajshëm. NATO veproi pikërisht për shkak të veprimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu”, tha Hovenier.

Ambasadori amerikan kujtoi edhe fjalët e Sekretares së atëhershme të Shtetit, Madeleine Albright, ditën kur ndodhi kjo masakër e cila u shpreh se e kan të pamundur të negociojmë përderisa Millosheviçi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djegë fshatërat në Kosovë.

“Të njëjtën ditë, Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madeleine Albright tha: e kemi të pamundur të negociojmë përderisa Millosheviçi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djegë fshatërat në Kosovë. Aksionet e NATO-s kanë qëllim ta mbështesin paqen dhe sigurinë në Europë dhe t’u japin fund mizorive dhe krizës humanitare”, tha Hovenier.

“Me të vërtetë, si aleancë, ne u bëmë bashkë për të vepruar, për të reaguar, vetëm pasi i kishim shteruar të gjitha alternativat për ta ndalur gjakderdhjen. Prandaj, është tepër e duhur që pikërisht këtu në Krushë të Madhe, sot vëmë në pah dhe dëshmojmë për këtë tragjedi”, shtoi ambasadori.

Hovenier shprehu ngushëllime dhe u solidarizua me të prekurit nga kjo masakët, ndërsa i falënderoi edhe ata që punuan për muzeun që po inaugurohet atje.

“Si përfaqësues i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, dëshiroj të shpreh ngushëllime dhe solidaritetin tim për të gjithë të prekurit nga kjo ngjarje e tmerrshme, si dhe dëshiroj t’i falenderojë dhe të shpreh mirënjohje për të gjithë ata që kanë punuar për ta jetësuar muzeun dhe memorialin që po e jetësojmë sot, sepse ky muze është një kujtim i rëndësishëm për viktimat e masakrës.

Kam marrë vesh se shumë prej jush keni avokuar që ta keni këtë muze gjatë 25 viteve të shkuara dhe është tamam e duhur që ky muze të jetë tamam një dëshmi fizike e ngjarjeve të tmerrshme që kanë ndodhur këtu dhe do të bëjë të mundshme të mos i harrojmë kurrë ato mizori”, tha Hovenier.

Hovenier shprehu mbështetjen e SHBA-së për popullin e Kosovës ku u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës dhe janë të përkushtuar që të bashkëpunojmë për të siguruar që çdo individ në Kosovë mund të jetojë në kushte të dinjitet, lirisë, sigurisë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo rrethanat.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: