Izraeli mund të ofrojë të ndajë kontrollin mbi Gazën, pas përfundimit të luftës që po shkatërron aktualisht enklavën palestineze, me SHBA-në dhe një koalicion të kombeve arabe, ka raportuar New York Times.

Gazeta citoi burime anonime që pretendonin se kryeministri izraelit Netanyahu po shmang diskutimet e detajuara publike për të ardhmen e pasluftës së Gazës, por zyrtarët në prapaskenë kanë zhvilluar një “plan të gjerë”.

Tre zyrtarë izraelitë dhe pesë persona që kanë diskutuar propozimin me qeverinë izraelite, i thanë NYT se shteti hebre do të ofrojë të ndajë mbikëqyrjen e Gazës me SHBA-në dhe tre vende arabe – Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas burimeve, Izraeli do ta bënte këtë në këmbim të një normalizimi të marrëdhënieve me Arabinë Saudite.

Sipas planit, udhëheqësit lokalë në Gaza, të cilët do të ngarkoheshin me rindërtimin e territorit, reformimin e sistemit të tij arsimor dhe ruajtjen e rendit, do të emëroheshin nga Izraeli dhe kombet arabe në bashkëpunim me Uashingtonin.

Pas shtatë deri në dhjetë vjet, njerëzit në enklavë do të lejohen të votojnë nëse do të absorbohen në një administratë të bashkuar palestineze që do të kontrollonte si Bregun Perëndimor ashtu edhe Gazën, sipas propozimit.

NYT theksoi se plani nuk specifikon nëse kjo administratë e bashkuar do të përbënte një shtet sovran palestinez. Netanyahu ka hedhur poshtë publikisht një zgjidhje me dy shtete, pavarësisht se një rrugë e tillë mbështetet nga shumë fuqi botërore, përfshirë aleatin kryesor të Izraelit, SHBA.

Propozimi gjithashtu thotë se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) mund të vazhdojnë të operojnë brenda Gazës pas përfundimit të konfliktit me grupin e armatosur palestinez Hamas, thanë zyrtarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb