26 persona të lënduar gjatë protestës së sotme në Tiranë janë trajtuar në Spitalin Universitar të Traumës. Mes tyre janë efektivë policie, protestues dhe kalimtarë të rastit.

Sipas përditësimit zyrtar mbi gjendjen shëndetësore, të publikuar në orën 19:31, aktualisht dy efektivë policie vijojnë të jenë nën kujdesin mjekësor.

Njëri prej tyre, me inicialet D.K., është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërsa efektivi tjetër, F.R., i ardhur nga Shkodra, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë. Sipas njoftimit, pritet reagimi pas ndërhyrjes.

Edhe dy protestues vijojnë të marrin trajtim mjekësor dhe paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore. Njëra prej tyre është një vajzë, e cila ndodhet në observim dhe paraqitet në gjendje stabël për momentin.

Ndërkohë, pak minuta para publikimit të njoftimit, në Spitalin e Traumës kanë mbërritur edhe tre kalimtarë, të cilët, sipas informacionit zyrtar, janë jashtë rrezikut për jetën.

Sa i përket situatës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), bëhet e ditur se aktualisht nuk ka asnjë person të lënduar që po merr trajtim atje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb