Një baron i drogës kolumbiane, drejtuesi i një trafiku qindra miliona dollarë kokainë midis Amerikës së Jugut, Meksikës dhe SHBA-së u ekstradua nga Kolumbia, njoftuan dje shërbimet e prokurorit federal të Kalifornisë dhe u përball me akuza të premten në një gjykatë në Los Angeles.

Viktor Hugo Cuellar-Silva është midis katërmbëdhjetë të akuzuarve për një komplot të madh për të transportuar tonelata kokaine nga Amerika e Jugut përmes Meksikës në SHBA.

Cuellar-Silva, i cili u ekstradua të enjten nga Kolumbia, ishte një anëtar i rangut të lartë të rrjetit të drogës të kryesuar nga i arratisuri meksikan Angel Humberto Chavez-Gastelum, i cili është një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në botë, shkruan NY Post.

Chavez-Gastelum, ka qenë anëtar i “kartelit të frikshëm të Sinaloas”. Gjithnjë në arrati, ai është në ndjekje të vazhdueshme të autoriteteve dhe mendohet të jetë në Meksikë.

Chavez-Gastelum dhe djali i tij, Alonso Jaime Gastelum-Salazar, akuzohen gjithashtu për dy vrasje në Meksikë. Një nga viktimat u torturua dhe u gjymtua, dhe akti i rëndë regjistrua në video, e cila është në dorën e hetuesve, thanë prokurorët.

“Ky rreth i drogës ka përhapur vdekjen dhe mjerimin në të gjithë Amerikën dhe në pjesë të tjera të botës, gjë që e bën këtë rast, një nga më të rëndësishmit e trafikut të drogës të sjella ndonjëherë në këtë distrikt”, tha avokati amerikan Nick Hanna.

Autoritetet konfiskuan më shumë se 7,700 kilogramë kokainë me një vlerë mbi 500 milionë dollarë gjatë hetimit trevjeçar.

Paralelisht me ekstradimin e Victor Hugo Cuellar-Silva, tashmë i ndaluar në Los Angeles, shtatë persona u arrestuan të enjten në SHBA në vijim të hetimit disa vjeçar që ka mobilizuar policinë e tre kontinenteve. Gjashtë të dyshuar të tjerë do të ekstradohen së shpejti nga Kolumbia dhe Tajlanda, saktësoi zyra e prokurorit në një komunikatë shtypi.

Sipas hetuesve, rrjeti mblidhte tonelata kokaine nga laboratorë të ndryshëm të paligjshëm në Amerikën e Jugut. Më pas e transportonte drogën deri në Meksikë me avionë, nëndetëse apo anije shumë të shpejta.

Cuellar-Silva u deklarua jo fajtor dhe u mbajt në paraburgim. Një avokat mbrojtës që e përfaqësonte tha se nuk kishte asnjë koment.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb