Teksa sot hyri në fuqi ligji për “Amnistinë Penale”, 780 të dënuar kanë lënë sot qelitë, ndërkohë, 800 të tjerë kanë përfituar nga ulja e dënimit. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ndoqi nga afër procesin e lirimit të të dënuarve në Institucionin e Vuajtjes së Dënimeve Penale në Rrogozhinë, ndërsa tha për mediat se kjo amnisti nuk kanë përfituar zyrtarë të lartë të dënuar apo hetuar nga Struktura Speciale Anti-Korrupsion (GJKKO). Ai shtoi se përfitues nga kjo Amnisti, janë vetëm nëpunës të cilët nuk janë më shumë se gishtat e një dore.

“Ka pasur një debat i madh se sa zyrtarë të lartë do të lirohen përmes kësaj amnistie. Shifrat dhe numrin e tyre do ti merrni vesh përmes komunikimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, por ju siguroj se asnjë zyrtarë i lartë dënuar ose në proces gjyqësor nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk përfiton nga kjo amnisti. Me uljen e dënimit janë një numër sa gishtat e një dorë, nëpunës të thjeshtë, që lirohen përmes amnistisë”, tha Manja.

Kreu i Drejtësisë në Shqipëri tha se amnistia ka kursyer rreth 30 milionë euro për buxhetin e shtetit. “Kostoja ditore e një të dënuari është 36.5 euro. Nga kjo amnisti, nëse e kalkulojmë në kosto ditore, janë kursyer 30 milionë euro për shtetin”, theksoi Manja. Ai informoi se nga burgu i Rrogozhinës janë liruar sot 183 të dënuar, ndërsa 15 gra dhe 3 të mitur përfitojnë nga amnistia.

“Në këtë institucion është numri më i madh i të dënuarve që lirohen nga amnistia, 183 të dënuar. Në shkallë vendi do të lënë vendin e vuajtjes së dënimit 780 të dënuar. Kjo shifër pritet të përditësohet për shkak se në orët e fundit, ka përsëri një numër të dënuarish që përfitojnë nga amnistia, të cilët gjenden në komisariatet e policisë në shkallë vendi. Për këta 780 persona janë mbaruar të gjitha procedurat e dokumentacionit ligjor dhe sot do të lënë ambientet e vuajtjes së dënimit. 800 të tjerë janë përfitues të amnistisë me ulje në dënim. Në total, numri i të dënuarve që përfitojnë është 1,600. Përfitues janë që lirohen menjëherë 15 gra, ndërsa 9 të tjerë përfitojnë ulje në dënim dhe do të lirohen deri në shtator. Nga 38 gra që kemi të dënuara në institucionin e Ali Demi në Tiranë, 3 të mitura përfitojnë menjëherë, ndërsa 2 përfitojnë ulje në dënim. Përfitues janë edhe 2 662 persona në shërbim prove”, përfundoi Manja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb