Delegacioni i eurodeputetëve të grupit të Gjelbër/Aleanca e Lirë Evropiane (Greens/EFA) në Parlamentin Europian ka përfunduar sot misionin faktmbledhës në Shqipëri.

Në një konferencë për mediat nga Europe House në Tiranë, eurodeputetja holandeze Tineke Strik komentoi protestat që prej 32 ditësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, duke kritikuar mënyrën se si autoritetet po reagojnë ndaj protestuesve.

“Në vend që t’i marrin seriozisht protestuesit paqësorë, politikanët po i sulmojnë me fushata denigruese dhe forma intimidimi. Kjo është e papranueshme dhe nuk përputhet me standardet e një demokracie të mirëfilltë”, deklaroi Strik.

Eurodeputetja theksoi gjithashtu se protestat, të cilat nisën për mbrojtjen e lagunës së Vjosë-Nartës, kanë nxjerrë në pah problematika më të gjera që lidhen me qeverisjen në Shqipëri.

Anëtarët e delegacionit morën pjesë edhe në protestën e zhvilluar të hënën në mbrëmje në Tiranë, ku shprehën mbështetjen për qytetarët që kundërshtojnë prej më shumë se një muaji projektin turistik në Zvërnec dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, të cilën e akuzojnë për korrupsion dhe për miratimin e projekteve që, sipas tyre, dëmtojnë
mjedisin dhe ngrejnë pikëpyetje për ligjshmërinë dhe transparencën e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb