Një tender i zhvilluar nga kompania shtetërore Albcontrol për Aeroportin e Kukësit parashikon një shpenzim prej rreth 350 mijë eurosh në një kohë kur aeroporti nuk ka pasur fluturime prej rreth dy vitesh.

Sipas të dhënave, në fund të vitit të kaluar është shpallur një procedurë me vlerë 33.2 milionë lekë për sigurimin e infrastrukturës që do të mundësojë ofrimin e shërbimit të informacionit të fluturimit.

Megjithatë, mungesa e aktivitetit ajror në Aeroportin e Kukësit ka ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e këtij investimi dhe përfitimin konkret për publikun.

Burime bëjnë me dije se objekti i kontratës lidhet me marrjen me qira të një strukture të lëvizshme kontrolli ajror, e pajisur me mjete komunikimi si radio dhe linja telefonike, e cila zakonisht përdoret për menaxhimin e trafikut ajror.

Procedura e tenderit është zhvilluar me pjesëmarrjen e një operatori të vetëm ekonomik, i cili është shpallur fitues me një ofertë prej rreth 31.6 milionë lekësh.

Ndërkohë, ekspertë dhe kritikë të kësaj procedure ngrenë shqetësime për koston e lartë të kontratës, duke theksuar se struktura të ngjashme mund të sigurohen me kosto më të ulët në treg.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim të detajuar mbi arsyet e këtij shpenzimi, ndërsa çështja pritet të vijojë të diskutohet në opinionin publik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb