Dy persona janë bërë pentito sa i përket dosjes së kokainës e cila u gjet në Frakull.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se sipas burimeve, dy personat që kanë vendosur të bashkëpunojnë me drejtësinë janë persona të dënuar më herët, ndërsa një prej tyre është me shtetësi shqiptare dhe një i huaj.
Ata pritet të japin dëshmi të detajuara mbi aktivitetin e dyshuar kriminal dhe rrjetin e personave të përfshirë.
Hetuesit po verifikojnë deklarimet e tyre, ndërsa pritet që “zbërthimi” i plotë i grupit të çojë në identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Prokuroria Kundër Kurrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi më 8 dhjetor 2023 mbyllen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështje në ngarkim të ish-kryetarit socialist të ish-komunës Frakull në Fier, Viktor Çervanaku dhe 10 personave të tjerë, të akuzuar për trafikimin nga Kolumbia të 485.5 kg kokainë të përzier me pleh kimik
Droga u zbulua më 24 nëntor 2022 në banesën e Viktor Çervanakut e cila ishte kthyer në një laborator kokaine.
SPAK zbulon se nëse kokaina hidhej në treg, do të sillte një përfitim prej 40 milionë euro,. Droga hyri në Shqipëri e përzier me “plehun organik” artificial.
Kokaina ishte transportuar nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut, në Greqi, në drejtim të Portit në Bar, në Malin e Zi. Pastaj në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri në datën 19 shtator 2022.
