Nga: MARIGLEN MERTIRI*
TIRANE – Ky 58-vjeçar sot ka shpallur grevën e urisë, para shtëpisë së tij. Dhunohet nga ish-gruaja dhe kërcënohet me jetë prej 1 viti, ndaj dhe detyrohet të kalojë natën jashtë shtëpisë që ndërtoi vetë para 20 vitesh.

“Që në orën 10 sot shpalla grevën e urisë, deri vetëflijimin. Që të mos akuzohem edhe gojën do ta mbyll me skoç. Unë nuk jam i dhunshëm, ajo është e dhunshme deri sa bëri dhe 72 orë u ndalua.” – deklaroi Agolli.

Gëzim Agolli banonte në zonën e Kinostudios në Tiranë dhe për këtë zotëron dokumente në emrin e tij. Ka një urdhër mbrojtje nga gjykata, ashtu sikurse edhe gruaja e tij, por që i lejon të jetojnë në të njëjtën shtëpi, 5 metra larg. Por që prej 1 viti që janë ndarë, ai nuk e ka parë më derën e shtëpisë.

“Më dhanë një vit urdhër mbrojtje, që të rrimë të dy bashkë në banesë. Ditën që dola nga gjykata, kur vi unë ajo kishte lajmëruar vëllezërit e saj dhe kishte ndërruar gjithë bravat e shtëpisë.”- tha Agolli.

Disa herë është dhunuar dhe tentuar të shtypet me makinë, megjithëse ka bërë kallëzim, thotë se askush nuk vepron. I ndodhur përballë kësaj padrejtësie ka vendosur që ditën të rrijë në karrige, përballë shtëpisë dhe në darkë të vendosë krevatin portativ në trotuar.

“Bëj një kallëzim në datën 1 dhjetor, tentativë për vrasje. Më del përpara po prap ai person dhe më thotë tërhiq akuzën se je i vrarë. Mos iu afro shtëpisë se je i vdekur. Më tepër kam fjetur rrugëve. Asnjë plaçkë timen nuk e kam marrë nga shtëpia.”- shprehet ai.

Gëzim Agolli thotë se përndjekja dhe diskreditimi i tij nga ish-bashkëshortja dhe bashkëjetuesi i saj vijon pa ndërprerje, ndaj ka edhe një thirrje për të bërë.

“Dua të futem në shtëpi dhe kërkoj mbrojtje nga shteti. Sepse unë kërcënohem. Kam dalë nga shtëpia pa lek pa bukë, sot që po flas me ju kam vetëm një 200 leksh me vete. Të futem në shtëpi se jam i sëmurë, të mos vdes në rrugë”.

Edhe sot nëse policia nuk do ta shoqërojë në komisariat, natën do ta kalojë përballë shtëpisë së tij në pritje që dikush të reagojë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: