NGA: OLA MITRE* TIRANE- Rreth 7.1% e popullsisë në vendin tonë janë mbartës të talasemisë, ndërkohë që dy prindër mbartës kanë probabilitet që në çdo shtatzëni, 25% të lindin fëmijë të sëmurë, 25% të lindin fëmijë të shëndoshë dhe 50% të lindin fëmijë mbartës të sëmundjes. Po ashtu, sipas të dhënave më të fundit rreth 400 persona në vendin tonë vuajnë nga kjo sëmundje, që ndryshe quhet edhe anemia mesdhetare, duke e renditur Shqipërinë si një ndër vendet me numrin më të lartë të të prekurve. Sipas specialistëve, talasemia nuk mund të parandalohet, por mund të zbulohet që në javët e para të shtatzënisë përmes kryerjes së elektroforezës së hemoglobinës. Ndërkohë që, sipas mjekes pranë Institutit të Shëndetit Publik, Entela Bitri është mirë që dy prindër të flasin paraprakisht me një këshillues gjenetik për të përcaktuar se çfarë rreziku do të kenë për t’ia kaluar talaseminë fëmijëve.

Doktoreshë, për të gjithë ata që nuk kanë informacion, çfarë është talasemia?
Talasemia është një sëmundje gjaku e trashëguar që shkaktohet nga një defekt në prodhimin e hemoglobinës, një pjesë e rëndësishme e qelizave të kuqe të gjakut. Kur nuk ka hemoglobinë të mjaftueshme, qelizat e kuqe të gjakut nuk funksionojnë siç duhet, jetojnë për periudha më të shkurtra kohore, kështu që ka më pak qeliza të kuqe të shëndetshme në gjak. Qelizat e kuqe të gjakut çojnë oksigjen në të gjitha qelizat e trupit, të cilin ato e përdorin për të funksionuar. Në varësi të asaj se sa e rëndë është talasemia, kemi talaseminë minor ose talaseminë major. Duke pasur një tipar talasemie, një person nuk mund të ketë asnjë simptomë, por mund t’ia kalojë atë tipar fëmijëve duke rritur rrezikun e tyre për të pasur talasemi. Një person i cili ka talasemi minor nuk mund të ketë asnjë simptomë ose mund të ketë vetëm anemi të lehtë, ndërsa një person me talasemi major mund të kenë simptoma të rënda dhe mund të ketë nevojë për transfuzione të rregullta gjaku.

Si diagnostikohet kjo sëmundje?
Njerëzit me forma të moderuara dhe të rënda të talasemisë zakonisht diagnostikohen që në fëmijëri, pasi ata kanë simptoma të anemisë së rëndë qysh herët në jetë. Duke qenë se talasemia është e trashëguar, disa njerëz e zbulojnë atë pasi ata kanë të afërm me talasemi. Gjithsesi, talasemia zbulohet përmes testimit të gjakut.

A mund të parandalohet talasemia?
Duke qenë se talasemia kalon nga prindërit tek fëmijët, është shumë e vështirë për ta parandaluar. Megjithatë, në qoftë se ju ose partneri juaj e di se anëtarët e familjes janë me talasemi, ose jetoni në vende ku talasemia është e zakonshme, ju mund të flisni me një këshillues gjenetik për të përcaktuar se çfarë rreziku do të keni për t’ia kaluar talaseminë fëmijëve tuaj.

Intervisten e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare ne print

(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: