Gjermania do të investojë shuma rekord për ushtrinë dhe infrastrukturën, kjo u konfirmua këtë javë me buxhetin e parë të qeverisë nën kancelarin Friedrich Merz.

Berlini theksoi rolin udhërrëfyes, krahas SHBA, edhe në miratimin e kuotës 5% për mbrojtjen të NATO-s.

Gazetarja Daljana Sejdia bisedoi me Auron Dodin, në Deutsche Welle.

Auron, përshëndetje.

Samiti i NATO-s miratoi të mërkurën rritjen në 5% të prodhimit ekonomik vjetor për mbrojtjen. Si u prit ky hap në Gjermani?

Auron Dodi: Përsa i përket samitit të NATO-s: kancelari Friedrich Merz e quajti “samit historik”. Foli për “një ditë të paharrueshme, që do të hyjë me siguri në historinë e NATO-s”.

Në konferencën e shtypit në Hagë, Merzi i njohu aftësinë organizative sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që vendet e NATO-s u dakorduan për të shpenzuar 5% të PBB për mbrojtjen.

Merzi shtoi gjithashtu se “mbetet e vërtetë se ishte vetëm kjo administratë amerikane, në kombinim me luftën në Ukrainë, që na shtyu të vendosim atë që kemi vendosur sot.”

Njëkohësisht, vetëm disa orë më parë, para Bundestagut kancelari gjerman kishte thënë se Gjermania do t’i bëjë forcat e saj të armatosura “ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë, siç presin me të drejtë partnerët tanë nga ne, duke pasur parasysh madhësinë, aftësitë dhe vendndodhjen tonë gjeografike”.

Gjermania ka bërë një plan të detajuar që objektivin prej 5% për mbrojtjen ta arrijë gjashtë vjet më parë se kërkesa e NATO-s, pra ta arrijë që në vitin 2029, megjithëse afati i NATO-s është deri në vitin 2035.

Shpenzimet gjermane për mbrojtjen arrijnë rekorde, sipas projektbuxhetit për vitin 2025-2026 që paraqiti qeveria gjermane të martën. Për ç’shifra bëhet fjalë?

Auron Dodi: Kemi të bëjmë me armatimin më të madh pas Luftës së Dytë Botërore të Gjermanisë.

Shpenzimet ushtarake të Gjermanisë do të rriten nga 62,4 Milliardë euro këtë vit, në 152,8 miliardë euro në vitin 2029. Kjo pothuajse do ta trefishojë buxhetin e rregullt ushtarak gjerman të vitit 2024.

Synimi qe shpallur që në mars, por konfirmimi erdhi këtë të martë, kur ministri i Financave, Lars Klingbeil paraqiti planin buxhetor.

Plani parashikon që investimet ushtarake bazë të rriten gradualisht, nga 2.4% të PBB në vitin aktual 2025, në 3.5% në vitin 2029. 1.5 përqind të tjera do të shpenzohen për mbrojtjen civile dhe infrastrukturën ushtarake. Njëkohësisht, këtë vit në Gjermani do të krijohen për ushtrinë mbi 10.000 vende të reja pune.

Kancelari Merz pranoi në në Hagë se “paratë vetëm”nuk e zgjidhin punën“. Më shumë para në dispozicion ai i sheh vetëm si fillimin e një „strategjie tërësisht të ndryshuar, në politikën e mbrojtjes dhe sigurisë, që ndikon të gjitha fushat”:”personelin, teknologjinë, numrin e njësive, numrat e sistemeve”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb