I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatoren Ola Bruko, biznesmeni dhe protestuesi Agron Luzi ka rrëfyer historinë e tij personale, që nga largimi nga Shqipëria në vitin 1991, ndërtimi i jetës në Itali dhe rikthimi për të investuar në vendlindje.
Luzi, i cili ka marrë pjesë edhe në protestën e flamingove në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deklaroi se protestat e studentëve dhe pedagogëve kundër qeverisë e kanë nxitur të rikthehet në Shqipëri për të denoncuar problematikat me të cilat pretendon se është përballur gjatë aktivitetit të tij si biznesmen.
“Protesta mua më zgjoi nga gjumi. Isha në gjumë totalisht. Një super protestë! Dhe kësaj radhe erdha për të denoncuar personalisht se çfarë kam vuajtur unë pasi ndërtova jetën”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Luzi tregoi se ishte larguar nga Shqipëria më 7 mars të vitit 1991, në moshën 17-vjeçare, me një anije drejt Italisë. Ai kujtoi se, pas mbërritjes, kishte humbur ndjenjat dhe ishte zgjuar në spital.
Sipas tij, së bashku me tre vëllezërit, nisi të punonte dhe më pas të merrej me tregti, duke sjellë në Shqipëri makina dhe produkte të ndryshme. Më vonë, ai u angazhua edhe në sektorin e ndërtimit dhe në industrinë e përpunimit të materialeve inerte.
Biznesmeni ngriti akuza për korrupsionin, duke pretenduar se gjatë aktivitetit të tij ekonomik është përballur me kërkesa për pagesa nën dorë.
“Ne jemi njerëz punëtorë, njerëz që kemi parë punën tonë, njerëz që nuk kemi bërë pis kurrë dhe nuk kemi dashur kurrë të bëhemi pjesë e një megakorrupsioni kanceroz, i cili filloi me thënien: ‘Nëse nuk kollitesh këtu, nuk bën dot hajër’. Paguaj këtu, paguaj atje, çdo gjë poshtë tavolinës”, deklaroi Luzi.
Ai u ndal edhe te zhvillimet politike dhe ekonomike pas rënies së regjimit komunist, duke e cilësuar periudhën 1991–1996 si një kohë kur, sipas tij, ekzistonte konkurrenca e lirë.
“Për mua demokraci do të thotë garë e lirë, ku fillon starti dhe kush ka gjunjë e forcë del kampion. Por nuk mund t’i thyesh këmbën tjetrit dhe të dalë një tjetër kampion”, tha ai.
Luzi kritikoi gjithashtu klasën politike shqiptare, duke pretenduar se vendi vijon të vuajë pasojat e mentalitetit komunist.
“Ky vend ka parë vetëm komunizëm. Pra, 1944–2026 i thonë 82 vjet komunizëm”, u shpreh biznesmeni.
Duke folur për investimet e tij, Luzi tregoi se kishte ngritur një aktivitet në sektorin e guroreve dhe kishte sjellë në Shqipëri makineri moderne, përfshirë një fabrikë me kapacitet përpunimi prej 120 metrash kub në orë.
Ai pretendoi se pajisjet e tij kishin mbetur për një kohë të gjatë të papërdorura në ambientet e një fabrike çimentoje, situatë që, sipas tij, i kishte shkaktuar dëme dhe shqetësime të mëdha.
“Ka ndenjur fabrika në diell, në shi, dhe gati qaja. Unë nuk qaj dot me lot, por brenda meje qaja kur e shikoja aty në diell, në shi, gjashtë kamionë me makineri”, rrëfeu ai.
Biznesmeni theksoi se rikthimi i tij në Shqipëri lidhet me dëshirën për të bërë publike përvojën personale dhe për të mbështetur protestën e studentëve dhe pedagogëve, të cilët prej dhjetë ditësh kërkojnë ndryshime dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
