Protesta qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës ka hyrë sot në ditën e 84-t, ndërsa protestuesit janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbej”, duke përsëritur kërkesën për largimin e kryeministrit.

Tubimi, pjesë e asaj që protestuesit e kanë pagëzuar “Revolucioni i Flamingove”, vijon prej 84 ditësh, me thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesën për dorëheqjen e Ramës.

Qytetarët janë mbledhur në qendër të kryeqytetit me pankarta dhe flamuj, ndërsa në kor janë përsëritur thirrje si “Rama, jep dorëheqjen!” dhe “Rama ik!”, “Nuk shitet Shqipëria”.

Protestuesit shprehen se nuk kanë ndërmend të tërhiqen dhe se do të vijojnë tubimet deri në plotësimin e kërkesës së tyre politike për largimin e kryeministrit.

“Revolucioni i Flamingove” nisi në maj në zonën e Zvërnecit, ndërsa më pas protestat u zhvendosën edhe në Tiranë dhe u shndërruan në një aksion të përditshëm kundër qeverisë.

Edhe gjatë ditëve të fundit, protestat kanë vijuar me grumbullime në sheshin “Skënderbej” dhe marshime në drejtim të Kryeministrisë, ku kërkesa kryesore e protestuesve ka mbetur e pandryshuar: dorëheqja e Edi Ramës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb