Policia ka proceduar penalisht tre persona, të cilët dyshohen se janë përgjegjës për vënien e zjarreve në Bulqizë dhe në Burrel. Konkretisht për këtë janë proceduar shtetasit e mëposhtëm, me iniciale S.T, 17 vjeç, A.S, 16 vjeç dhe H.Z, 43 vjeç
Dy adoleshentët janë autorë të dyshuar të zjarrit të rënë në Kongrazhd, ndërsa H.Z, autor i dyshuar i zjarrit pranë aksit Fushë-Bulqizë. Nga ana tjetër, edhe pse temperaturat dhe i nxehti nuk janë në nivel alarmant, shumë sipërfaqe me pyje janë djegur.
Ditë më parë kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako kritikoi pushtetin vendor, i cili siç tha ai luan rolin vetëm të identifikimin të problemit dhe nuk merr pjesë në zgjidhjen e tij.
“S.T, dhe A.S, 17 dhe 16 vjeç, banues në Burrel në zonën e Kongrazhdit, Njësia Administrative Komsi, Bashkia Mat, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, nga pakujdesia duke djegur ferra e mbeturina, zjarri ka dalë nga kontrolli si pasojë e erës së fortë duke përfshirë dhe djegur sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.
Po ashtu shtetasi H.Z, 43 vjeç, banues në Bulqizë nga pakujdesia duke djegur mbeturinat në fund të kopshtit të tij, zjarri ka dalë nga kontrolli nga era duke u përhapur me shpejtësi në sipërfaqe të pyllit anës rrugës nacionale Fushë Bulqizë“, njofton policia.