TIRANE – Kryebashkiaku Erion Veliaj u ka shpërndarë sot çelësat e apartamenteve, 30 familjeve të para që kanë përfituar banesa sociale në zonën e Shkozës në kryeqytet. Në ceremoninë e organizuar paraditen e sotme në Shkozë, kreu i Bashkisë u kërkoi banorëve të rinj të kompleksit të banesave sociale që të tregojnë një model të ri bashkëjetesë në Tiranë.

“Kjo lagje është kartolina më e bukur e Tiranës. Një Tiranë që ka vend për të gjithë që nuk i diferencon njerëzit sipas ngjyrës, sipas teserës. Dua t’ju kërkoj që këtë ambient model dhe këtë harmoni që shoh sot mes jush si fqinjë të rinj, ta ruajmë si shenjë të këtij qyteti. Falënderoj ata që e nisën këtë projekt. Ata janë sot kryeministër dhe ministër i Arsimit, Edi Rama dhe Lindita Nikolla, dikur  kryetar i Bashkisë dhe kryetarja e minibashkisë, filloi ky projekt qe po inaugurojmë sot. ”- deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku solli sërish në vëmendje aksionin për pastrimin e qytetit,  duke theksuar se 99% e qytetarëve janë të kënaqur dhe mbështesin punën e Bashkisë për një qytet më të pastër.

“Unë e di që ka njerëz që mërziten kur marrin gjoba dhe detyrohen ti’ tërheqin karriget nga trotuaret apo kur kapën poshtë Lanës. Unë e pranoj,  po 1% e qytetarëve të Tiranës janë mërzitur, por 99% e mbështesin vendosjen e ligjit dhe rendit në Tiranë, duan pastërti higjienë”- deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ndërtuesit në Tiranë nuk mund të kërkojnë leje të reja ndërtimi, për sa kohë nuk shesin apartamentet e ndërtuara. Sipas Veliajt, ndërtuesit do të paguajnë taksën  e pronës për çdo apartament të pashitur.

“Të ulen çmimet e apartamenteve të pashitura. Unë e di që jetojmë në kapitalizëm dhe shteti nuk mund t’ia caktojë çmimet privatit. Por ka disa gjera që shteti mund të bëjë që t’i bindë privatët t’i binden rregullave të shtetit. Taksën e pronës do ta paguajnë edhe ndërtuesit për apartamentet e pashitura.  Për sa kohë nuk shiten apartamentet me çmime ekonomike për qytetarët, atëherë të mos kërkojnë leje ndërtimi. Nëse duan të mbajnë çmime të larta, atëherë të përgatiten që të paguajnë taksën e pronës siç paguan çdo qytetar që ka apartamentin e vet të plotë dhe jeton në atë apartament. Është e vetmja mënyrë se si mund tu kërkojmë ndërtuesve të ulin çmimet. Nëse do ta mbash bosh do përgatitesh të paguash taksën e pronës”- deklaroi Veliaj.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: