Aktori i famshëm italian Gabriel Garko, i cili konsiderohet seks-simbol, do të vizitojë edhe njëherë Tiranën. Aktori i adhuruar nga femrat shqiptare është i ftuar special në “Miss Universe Albania 2015”. E ndonëse do të qëndrojë në vendin tonë vetëm një ditë, burime të “Bluetooth” kanë sqaruar se Garko ka përfituar një shumë të majme, plot 30 mijë euro. Kjo është hera e dytë që Garko vjen në Tiranë në një event. Këtë vit spektakli do të vijë në një dimension të ri, pasi është konceptuar në një formë tjetër, i frymëzuar nga sfilatat e “Victoria Secret”.

Përveç bukurosheve konkurruese në “Miss Universe Albania”, atmosferën pritet ta ndezin edhe shumë personazhe të ftuara; dyshja Noizy dhe Era Istrefi me hitet e tyre muzikore, e po ashtu modeli i njohur ndërkombëtarisht, njëkohësisht pronar i “Cavalli Club” në Dubai, Lucio Luciano, i cili është i ftuari special në jurinë e këtij spektakli. Sipas burimeve nga organizatorët, të gjithë të ftuarit kanë marrë shuma të mëdha, duke refuzuar të saktësojnë çmimet.

Megjithatë, sipas burimeve të sigurta, Era Istrefi është paguar rreth 3 mijë euro, e po aq ka marrë edhe Noizy. Ndërkohë, pjesë e jurisë do të jenë edhe Floriana Garo dhe Heidi Lushtaku, ndërsa pritet konfirmimi nga Armina Mevlani.

Në këtë mbrëmje, pritet që të konfirmojë pjesëmarrjen edhe Mimoza Ahmeti, e cila mund të mbajë një monolog kushtuar femrave. Spektakli i 19 shtatorit, që do të organizohet në Pallatin e Kongreseve, do të prezantohet nga Albert Dumani dhe ish-konkurrentja e “Big Brother Albania”, Françeska Jaçe, e cila ka përvojën e saj në fushën e modës.

Vajza që do të “rrëmbejë” kurorën e më të bukurës për këtë vit do të përfaqësojë Shqipërinë në Shangai, në “Miss Universe 2015”.

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: