NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Të gjithë personat që duan të regjistrojnë një biznes dhe përballen me radhë të gjata në sportelet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, mund ta kryejnë procedurën e çeljes së aktivitet ekonomik pranë një noteri. Aplikimi i regjistrimeve të biznesit në zyrat e noterisë nis të hënën. Qendra Kombëtare e Regjistrimit ka arritur dje një marrëveshje me Zyrën Noteriale, që u jep fund radhëve të gjata të pritjes pranë zyrave të QKR-së. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Vasilika Vjero deklaron se që prej ditës së hënë, të gjithë personat fizikë që duan të regjistrojnë biznesin, mund ta bëjnë online përmes një zyre noteriale. Kështu jo vetëm shkurtohet koha e regjistrimit, por edhe pritjet në radhë pranë zyrave të QKR-së. Sipas Vjeros, “20% e regjistrimeve në këto 15 ditë janë ato online. Ndërsa në vetëm 15 ditë janë regjistruar më shumë se 8300 biznese”.

NJOFTIMI
Procedurat për regjistrimin e biznesit në zyrat e noterisë janë publikuar edhe në faqen zyrtare të QKR-së në internet. Në njoftimin e shpërndarë dje, QKR-ja bën të ditur se duke filluar nga dita e hënë, datë 21 shtator 2015, të gjithë individët/ subjektet tregtare që kërkojnë të regjistrohen për herë të parë (si persona fizikë), mund të drejtohen pranë zyrave të noterëve në të gjithë vendin për të realizuar regjistrimin e tyre. “Çdo zyrë noteri në Shqipëri, do të mundësojë regjistrimin e biznesit online, duke bërë të mundur kështu shmangien e radhëve të gjata të biznesit në zyrat dhe sportelet e QKR-së në shkallë vendi. Nisur nga fakti se në të gjithë vendin operojnë më shumë se 400 zyra noterësh, besojmë se strategjia e gjetur për të lehtësuar regjistrimin online të biznesit, do të shkurtojë në një nivel të ndjeshëm radhët dhe pritjet në sportelet e QKR-së. Gjejmë vendin t’ju bëjmë thirrje që të identifikoni sa më parë zyrën më të afërt noteriale pranë shtëpisë apo vendndodhjes së biznesit tuaj, në mënyrë që të procedoni me regjistrimin online”, thuhet në njoftimin e QKR-së.

DOKUMENTET SHOQËRUESE
Përveç formularit të aplikimit të plotësuar, aplikuesi duhet të paraqesë dhe dokumentacionin shoqërues. QKR-ja bën të ditur se duhet të paraqesë dokument origjinal identifikimi (pasaportë biometrike, letërnjoftim elektronik), të cilin nëpunësi i sportelit do ta verifikojë, kopjojë dhe skanojë, dhe në përfundim do t’ia kthejë aplikantit (përfaqësuesit). Aplikanti nuk duhet të largohet nga sporteli i shërbimit pa marrë me vete dokumentin e tij të identifikimit. Si dhe disa dokumente të tjera shoqëruese. Lista e dokumenteve të kërkuara për regjistrimin fillestar është specifike për forma të ndryshme ligjore biznesesh. Pasi është identifikuar lloji i biznesit që do të regjistrohet, aplikanti mund të gjejë listën e dokumenteve shoqëruese, të bashkëngjitur në formën specifike të aplikimit për regjistrim, e cila mund të merret ose në sportelet e QKR-së, ose në faqen zyrtare të internetit të QKR-së.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: