TIRANË- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu është takuar sot me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Selinë e PD-së, ndërsa tema kryesore e diskutimit ka qenë ligji për dekriminalizimin.

Pas takimit me ambasadorin amerikan, Basha deklaroi se dekriminalizimi duhet të arrihet sipas marrëveshjes së dhjetorit dhe nëse nuk ka vullnet politik, dekriminalizimi do të bëhet me popullin.

“Dekriminalizimi pra largimi i kriminelëve nga Parlamenti, nga pushteti vendor dhe administrata publike është prioriteti kryesor i Shqipërisë dhe për këtë, Partia Demokratike, unë personalisht, jemi të vendosur për ta çuar betejën deri në fund. Ne kemi mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve ndërkombëtarë të cilët dua t’i falënderoj për këtë mbështetje që i japin kësaj kauze jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jemi të vendosur që të ndërmarrim të gjithë hapat për ta zgjidhur këtë çështje. Fokusi ynë mbetet zgjidhja institucionale brenda kornizës së marrëveshjes së 24 Dhjetorit, në kuadër të komisionit të dekriminalizimit, për të gjetur rrugën dhe gjuhën e përbashkët në mënyrë që ligji për dekriminalizimin të jetë një ligj efektiv dhe jo një ligj kozmetik, një ligj që me të vërtetë e bën të pamundur për personat me rekorde të tmerrshme kriminale të kandidojnë apo të mbajnë funksione publike. Nëse qeveria ka vullnetin të punojë mbi këto parime, ne kemi vullnetin tonë të plotë dhe sigurisht, përkrahjen e plotë të faktorit ndërkombëtar. Nëse jo, opozita do të marrë vendimet që i takojnë bashkë me qytetarët shqiptarë. Dekriminalizimi do të bëhet. Mirë është të bëhet me vullnetin e të gjithë palëve. Nëse jo, do të bëhet edhe përkundër mungesës së vullnetit nga ana e qeverisë e veçanërisht kryeministrit Rama”, tha Basha.

Ditët e fundit kanë qenë të shpeshta vizitat e ambasadorit amerikan në selinë e PD-së dhe takimet e tij me Bashën, ku në fokus ka qenë çështja e dekriminalizimit dhe largimi i të inkriminuarëve nga politika dhe postet drejtuese.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: