TIRANE
Policia e Tiranës njofton se ka arrestuar 2 persona, të cilët akuzohen për vepra penale që kanë të bëjnë me fitimin e shumave marramendëse me anë të mashtrimeve.
Forcat blu të kryeqytetit bëjnë me dije se dy shtetasit e arrestuar akuzohen për vepra penale që kanë të bëjnë me vjedhje të shumave të mëdha, vetëgjyqësi e fshehje të ardhurash.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni i koduar “PËRSËRITËSI”.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në pranga 2 persona.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dy automjete të tipeve të ndryshme dhe kontrata shitblerjeje.
Nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë është bërë e mundur finalizimi i operacionit të koduar “Përsëritësi”, ku u ndaluan shtetasit:
- J., 44 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë tre herë për armëmbatje pa leje dhe kontrabandë me mallra për të cilët paguhet akcizë.
- I., 45 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasit M. J. dhe F. I. janë ndaluar pasi kanë bërë një kontratë fiktive (shtetasi M.J. i ka shitur shtetasit F.I. me kontratë fiktive 1 milion lekë të vjetra për një pronë, objekt shtypshkronjë me adresë në qytetin e Tiranës, biznes i cili ka një xhiro mujore rreth 100 milion lekë) duke fshehur të ardhurat, vepër penale kjo e cila është kryer me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi i një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se 8 milion lekë.
Shtetasi i dyshuar M.J, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme dy automjete, pronë e një banke të nivelit të dytë, për të cilat kolateralin dhe kredinë e paguanin shtetasit N.SH dhe O.SH.
Gjithashtu shtetasi i dyshuar M. J. ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme xhiron mujore të një biznesi të shtetases O. Sh, në vlerën rreth 55 milion lekë të reja.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Vjedhje në shuma të mëdha”, “Vetëgjyqësi” në ngarkim të M. J dhe “Fshehje të ardhurave kryer në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit F. I.
(d.xh/Balkanweb)