Policia e Kurbinit ka identifikuar autorët e plagosjes së 19-vjeçarit Edon Martini, një ditë më parë në Laç, duke i shpallur ata në kërkim.
Duke zbardhur dinamikën e ngjarjes, policia sqaron se në kërkim janë shpallur dy të rinjtë G. R., 21 vjeç, dhe A. M., 25 vjeç, të dy banues në Laç.
Sipas uniformave blu, sherri i djeshëm dyshohet të ketë qenë vijim i një konflikti për motive të dobëta ndodhur para disa javësh, i cili ka vazhduar edhe dje, duke u përshkallëzuar me plagosjen me armë zjarri të 19-vjeçarit.
Njoftimi i policisë:
Policia e Komisariatit Kurbin zbardh ngjarjen e ndodhur dje në Laç, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi E.M.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të identifikuar
Policia e Komisariatit Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, menjëherë pas ngjarjes ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur zbardhja e dinamikës së ngjarjes së ndodhur dje në lagjen nr.1 Laç, ku shkak dyshohet vijim i një konflikti për motive të dobëta ndodhur para disa javësh, i cili ka vazhduar edhe dje duke u përshkallëzuar në plagosjen me armë zjarri të shtetasit E.M. që ndodhet në spital.
U shpallën në kërkim dhe punohet intensivisht për kapjen e shtetasve:
– G.R. vjeç 21, banues në Laç i dyshuar për veprat penale ” Vrasje me paramendim’ mbetur në tentativë” dhe ” Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”
– A.M. ( L.), vjeç 25 , banues në Laç për veprat penale ” Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municioneve” dhe ” Moskallëzim krimi”.
Vazhdon puna policore intensive për kapjen e tyre si dhe materialet procedurale në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.
(d.ç./BalkanWeb)