PRISHTINË- Urimet për festën e Kurban-Bajramit “të gjithë vëllezërve e motrave, brenda dhe jashtë trojeve tona, kudo që ata gjenden nëpër botë” i ka drejtuar sot kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, nga manifestimi qëndror në Xhaminë e Madhe në kryeqytetin kosovar, duke theksuar edhe mesazhet “për unitet dhe vëllazëri mes gjithë njerëzve”.
“Vlerat e mirëfillta të Kurban Bajramit manifestohen përmes sakrificës, devotshmërisë, solidaritetit e humanitetit, duke bartur me vete porosinë e mirëqenies dhe paqes mbarë njerëzore”, është shprehur myftiu Tërnava në urimin e festës.
Kanë uruar edhe drejtuesit institucionalë e politikë të Kosovës, të cilët në këtë ditë të festës së Bajramit edhe vizitojnë e përgëzojnë Bashkësinë Islame të Kosovës.
“Republika e Kosovës është përcaktuar për ndërtimin e të ardhmes euroatlantike, si pjesë e familjes së shteteve të lira dhe demokratike ku respektohen të drejtat dhe liritë e secilit qytetar pa dallim. Kjo festë e Kurban Bajramit, të na shërbejë si një mundësi për të reflektuar për punën dhe sukseset që kemi arritur si individë dhe si shoqëri në realizimin e këtij synimi”, thekson në urim presidentja Atifete Jahjaga.
“Me respekt të veçantë, t’i kujtojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan që ne sot të jemi pjesë e popujve të lirë”, shprehet presidentja e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e Festës së Kurban Bajramit, uron “që edhe kjo festë të jetë festë e unitetit, e arsyes, që ne bashkërisht të zgjidhim problemet e këtij vendi, ta ndërtojmë Kosovën vend të mirëqenies, vend të zhvillimit dhe vend ku çdo qytetar do ta ndjente veten mirë”.
“Dëshiroj që të gjithë njerëzit në Kosovë dhe më gjerë, ta ndjejnë veten mirë në këtë festë që simbolizon sakrificën, solidaritetin, tolerancën dhe besimin”, thkson kryeministri Mustafa.
“Të gjithë besimtarëve islam në Republikën e Kosovës, gëzuar festa e Kurban Bajramit”, ka uruar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
“Mesazhi i kësaj feste është një vlerë e përhershme, sepse na përcjell idenë madhështore se adhurimi i Zotit, mbi të gjitha, nënkupton dashuri, mirëkuptim dhe solidaritet mes njerëzve. Kjo është festa që bashkon besimin fetar me kauzën e humanizmit”, shprehet kryeparlamentari Veseli.
Manifestimi qendror në Kosovë i Kurban Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë nisi në ora 05:45 me faljen e namazit të sabahut, ndërsa vazhdoi me ligjëratën tematike kushtuar kësaj feste nga kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora. Faljes së namazi të Kurban Bajramit i priu Resul Rexhepi, ndërsa Hytben – mesazhin, e mbajti myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Jahjaga viziton Bashkësinë Islame të Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Presidentja Jahjaga, u prit nga Myftiu Naim Tërnava dhe udhëheqës të tjerë të kësaj bashkësie, të cilëve i uroi për festën e Kurban Bajramit.
“Dëshiroj që t’iu uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të besimit mysliman për festën e Kurban Bajramit, me urimin që këtë festë ta kalojmë në mirëqenie, mirëkuptim në harmoni dhe me shtrirjen e dorës së ndihmës ndaj njëri-tjetrit”, tha Presidentja Jahjaga.
“Uroj për këtë festë të gjitha familjet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, dhe që në mesin e të gjitha familjeve tona të mbizotërojë shëndeti, mirëqenia dhe gëzimi”,u shpreh Jahjaga.
(ma.ar/BalkanWeb)
