SHBA– Eliot Engel, Bashkëkryesuesi i Komitetit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan, ka thënë se Kosova është miku më i mirë i ShBA-së.
Nëpërmjet rrjetit social Twitter ai ka shprehur gëzimin e tij për takimin me presidenten e vendit, Atifete Jahjaga.
“Amerika nuk ka mik më të mirë se Kosova dhe jam krenar që po e pres mikeshën time të mirë, presidenten e Kosovës në Capitol Hill”, ka shkruar ai.
Presidentja Atifete Jahjaga, gjatë ditës e ka vizituar Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington, ku ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Ajo i takoi në Capitol Hill anëtarët e lartë të Komitetit për Çështje të Jashtme të Kongresit amerikan, të kryesuar nga Kongresisti Ed Royce dhe anëtari i lartë i Komitetit, kongresisti Eliot Engel, shkruan “Koha.net”.
Jahjaga i falënderoi kongresistët amerikanë për përkrahjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën.
“Kosova është e lirë dhe e pavarur për shkak të ndihmës dhe përkrahjes së Kongresit amerikan”, ka thënë presidentja Jahjaga, thuhet në njoftimin për media.
Kongresistët e falënderuan Presidenten Jahjaga për vizitën dhe thanë se Kosova tashmë është një rrëfim i suksesit.
(el.sp/BalkanWeb)