SHBA
Një grup qytetarësh të Uashingtonit donin të dinin më shumë rreth Shqipërisë dhe këtë u mundësoi ambasadorja shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Në fjalën e saj përshëndetëse, ambasadorja, Floreta Faber, i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë event që pasqyron më së miri interesin e tyre për vendin tonë.
Më tej, ambasadorja u bëri një ekspoze të pranishmëve rreth historisë, traditave dhe kulturës shqiptare si edhe i njohu ata me mundësitë që ofron vendi ynë në fusha të ndryshme, shkruan Albinfo.ch.
Duke iu përgjigjur interesit të tyre për mundësitë e turizmit në Shqipëri, ambasadorja i ftoi ata të vizitonin Shqipërinë dhe të shijonin nga afër bukuritë natyrore që ofron vendi ynë.
Po ashtu, aktiviteti u shoqërua me gatime, pije dhe muzikë shqiptare, të cilës nuk mund t’i mungonte debutimi i të pranishmëve në kërcimet tona tradicionale. Promovimi i Shqipërisë mbetet një nga prioritetet e Ambasadës së Shqipërisë në Uashington DC.