* Avokati Visha: Ja pse duhet të kthehet Frroku në Kuvend
* Deputeti Frroku mbërrin në Kryesi me automjetin e burgut

TIRANE – Këshilli i Mandateve dhe Rregullores ka rrëzuar poshtë kërkesën për heqjen e mandatit të Deputetit Kristiandemokrat, Mark Frroku, i cili aktualisht ndodhet në burg. Ndërkohë Këshilli vendos t’i heqë mandatin deputetit tjetër, socialistit Arben Ndoka. Si maxhoranca ashtu edhe opozita kanë rënë dakord t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 71.

Avokati Saimir Visha tha se Kuvendi ka rrëzuar kërkesën për heqjen e mandatit deputetit Frroku, pasi Këshilli i mandateve dhe rregullores nuk mund të bëjë interpretim të Kushtetutës.

“Që në mbrojtjen që kam bërë, ishte që këshilli i mandateve dhe imuniteteve nuk mund të bëjë interpretim të kushtetutës. Këtë e bën vetëm Gjykata kushtetuese. Ne e kishim parashikuar këtë.  Mark Frroku nuk përfaqëson vetëm veten e tij por 20 mijë zgjedhës. Kërkesa u rrëzua. I janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Fjala ‘pa arsye’ nuk mund të interpretohet nga kuvendi. Frroku sot është deputet i Republikës së Shqipërisë”, tha Visha.

Ai shtoi gjithashtu se është kërkuar që deputeti të rikthehet në seancë. Madje Visha hoqi vija paralele mes rastit të Frrokut dhe deputetëve të Agimit të Artë në Greqi, të cilët pavarësisht se ndodhen në burg, marrin pjesë në seanca.

“Prokuroria e Përgjithshme vazhdon me dy standarde. Frroku është paraqitur si deputet jo si person në hetim. I bëmë thirrje Këshillit ti drejtohet Kushtetueses.

Në Republikën e Shqipërisë nuk ka pasur precedentë. Kemi fqinjin tonë Greqinë, ku deputetët e Agimit të Artë që ndodhen në burg, lejohen në seancë pasi nuk përfaqësojnë veten e tyre po zgjedhësit. Kuvendi do ti drejtojë kërkesë Gjykatës Kushtetuese. Ne paraqitëm të gjitha provat. Kërkuam edhe sot të marrim pjesë si deputet në Kuvendin e Shqipërisë”, theksoi Visha.

Që në fillim të mbledhjes që drejtohet nga kryeparlamentari Ilir Meta, deputeti i PD-së, Arben Ristani përsëriti kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit Frroku, pasi siç tha ai duhet të kemi një administratë të pastër. Ristani deklaroi se për këtë qëllim është edhe marrëveshja për dekriminalizimin.

Kryetari i Kuvendit, Meta, theksoi se “Kjo mbledhje është lajmëruar përpara se të kishte një kërkesë të posaçme të deputetit te PD-se, Arben Ristani dhe arsyeja kryesore pse kjo mbledhje është gjykuar për t’u realizuar ka ardhur për faktin se kemi rastin e parë me të cilën ndeshemi në këtë praktikë, ku vihet në diskutim çeshtja e mandatit të një deputeti dhe për të cilën shërbimi i seances ka kërkuar një shqyrtim apo një gjykim nga Këshilli i Mandateve dhe Rregullores”.

“Ne kemi një kërkesë zyrtare nga deputeti Ristani për mandatin e deputetit Mark Frroku dhe deputeti Arben Ndoka. Do ta quajme të mbyllur këtë çështje në aspektin juridik persa i përket deputetit Ndoka, pasi ai ka kerkuar dorëheqjen, ndërsa per rastin e Frrokut, kemi dy nxitje, një për faktin se shërbimet e Kuvendit kërkojnë interpretim dhe rasti tjetër, kemi një kërkesë nga deputetë dhe pastaj një pretendim të avokatit që kërkon që t’i kishte më të qarta kerkesat”, tha Meta.

Avokati mbrojtjes i deputetit Frroku, Saimir Visha kërkoi sot në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Imuniteteve që klienti i tij të lejohet të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, pasi nuk ka asnjë masë ndaluese për të, ndërsa shton se mandati i tij është ende i vlefshëm.

“Vlen për tu përmendur një shqetësim i prillit 2015, ju jemi drejtuar për lejimin e pjesëmarrjes së tij në Kuvend. Ka dy vendime 28 mars 2015 ku për të është dhënë masa arrest shtëpie dhe një vendim të datës 3 prill 2015 ku është dhënë masa arrest me burg. Të gjithë jemi juristë dhe e dimë se ekzistojnë edhe masa ndaluese që ndalojnë funksionet publike të një personi. Deri në këto momente nuk ka asnjë masë ndaluese që të mos marrë pjesë në Kuvend. Mandati i tij është i vlefshëm. Mandati hiqet kur nuk bën betim, kur heq dorë nga mandati, kur mbaron mandati i Kuvendit, kur mungon pa arsye mbi 6 vjet dhe kur dënohet, me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi, pra ai ka një arsye pse mungon dhe nuk është dënuar me asnjë vendim gjykate brenda dhe jashtë vendit”,- sqaroi Visha.

Avokati shtoi se përderisa nuk ka një masë ndaluese për Frrokun, ai është deputet dhe në bazë të Kushtetutës mandati i tij është i vlefshëm, prandaj kërkoi që ti mundësohet pjesëmarrja në Kuvend.

Deputeti Mark Frroku mbërriti në kryesinë e Kuvendit në orën 17:40 me një automjet të burgut, i shoqëruar nga avokati. Lajmi që Frroku do të ishte në mbledhje, u konfirmua më herët nga avokati i tij, Saimir Visha, i cili tha se “prania në mbledhje është detyrim ligjor”. Në mbledhjen që do të zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit, deputeti dhe kreu i PKD-së do të shoqërohet nga avokatët e tij.

Mbledhja e Këshillit vjen pas kërkesës së Partisë Demokratike, e cila, në një letër drejtuar kreut të Kuvendit, argumenton se deputetit Frroku i është plotësuar afati gjashtë-mujor i mungesës në Kuvend, ndërkohë që ai vijon të mbajë mandatin.

Kjo, sipas opozitës bie ndesh me Kushtetutën, e cila përcakton se mandati i deputetit mbaron kur ai mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend.

Deputeti kristiandemokrat mungon prej shtatë muajsh në parlament, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, në prill të këtij viti, për ta lënë në “arrest me burg”, sepse akuzohet nga autoritetet belge si i përfshirë në një vrasje në Belgjikë, në vitin 1999.
(m.k/ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: