Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett pas takimeve me liderët e LDK-së dhe LVV-së, Isa Mustafën dhe Albin Kurtin, bëri thirrje që të formohet qeveria e re.

Fill pas thirrjes së ambasadorit Kosnett, ka reaguar dhe ambasada britanike, e cila kërkoi që dy subjektet politike të tejkalojnë dallimet në mes tyre dhe të formojnë Qeverinë.

“Më shumë se 12 javë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosovës i duhet një Qeveri e re. Çështjet urgjente siç janë buxheti, arsimi si dhe vendimet administrative të bllokuara duhet të adresohet. Të dyja, Vetëvendosje dhe LDK, të cilat qartazi kanë fituar zgjedhjet, duhet të punojnë së bashku që të tejkalojnë dallimet në mes tyre dhe të formojnë qeverinë që do të adresojë çështjet më me prioritet të popullit të Kosovës. Ato duhet të bëjnë këtë në frymën e tolerancës, duke pranuar qasjet e tyre të ndryshme të qeverisjes. Respekti për votuesit dhe Kushtetutën do të thotë vullnet për të punuar sinqerisht së bashku për t’i treguar vendit se ata munden të ofrojnë lidership për ndryshimin”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike. Gjatë ditës së hënë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka takuar veç e veç, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për t’u informuar lidhur me ecurinë mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshje të koalicioni qeverisës.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb