Çështja e parandalimit dhe hetimit të krimit zgjedhor është në qendër të shqetësimit të opinionit publik por edhe të partnerëve të huaj.

Ambasada Britanike ftoi sot Kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani, Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela dhe Komisionerin Publik të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi për të informuar ambasadorët mbi strategjinë e re për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore, të prezantuar në vitin 2025.

  • foto galeri

Krerët e prokurorive Dumani e Çela dhe ai i KQZ Celibashi informuan ambasadorët për punën që po bëhet për parandalimin e krimeve zgjedhore dhe organizimin për hetimin e tyre. “Ky sesion informues theksoi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve në hetimin e shkeljeve zgjedhore, duke përfshirë masat për zbutjen e rreziqeve në procesin zgjedhor të ardhshëm”, shkruan Ambasada britanike në njoftimin e saj.

Ambasada Britanike bën të ditur se ka shprehur mbështetje për marrëveshjen e re ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për sigurinë dhe transparencën e zgjedhjeve.

  • foto galeri

“Ky angazhim i institucioneve për të garantuar zgjedhje të lira dhe të drejta në 11 maj 2025 është vlerësuar pozitivisht nga komuniteti ndërkombëtar, i cili thekson rëndësinë e një procesi zgjedhor të pastër nga krimi dhe manipulimet”, shkruhet në postimin e ambasadës britanike.

Njoftimi i Ambasadës Britanike:

Ambasada Britanike ftoi Kryeprokurorin Special, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Komisionerin Publik të Zgjedhjeve për të informuar ambasadorët mbi strategjinë për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore, të publikuar në vitin 2025.

Sesioni informues mbuloi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve për hetimin e shkeljeve zgjedhore në mjedisin aktual operativ, duke përfshirë strategjinë për zbutjen e rreziqeve të mundshme në procesin e ardhshëm zgjedhor.

Marrëveshja e re ndërmjet institucioneve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar si një hap i rëndësishëm i radhës në sigurimin e qartësisë së qëllimit për secilin institucion.

Ambasada Britanike mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të siguruar që zgjedhjet e 11 majit të jenë transparente, të drejta dhe të sigurta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb